Gianni De Biasi është një emër i dashur për tifozët shqiptarë, gjithmonë do të jetë i tillë. Trajneri italian zhvilloi një punë fantastike gjatë pesë viteve e gjysmë që qëndroi në stolin e kombëtares kuqezi (14 dhjetor 2011- 14 qershor 2017).

Nën drejtimin e 63-vjeçarit u kualifikuam për herë të parë në një kompeticion të rëndësishëm, siç ishte Euro 2016. De Biasi, i cili u nderua me marrjen e nënshtetësisë shqiptare, ka kujtuar me anë të një postimi në rrjetet sociale momentin kur mbylli aventurën fantastike me Shqipërinë.

Sot tre vite më parë dha dorëheqjen, moment të cilin e cilëson të vështirë, teksa kthehet pas dhe thotë shumë. “Tre vite më parë vendosa të largohem nga kombëtarja shqiptare, një moment i trishtë dhe shumë i vështirë për mua.

Objektivi ishte që t’i jepja mundësinë zëvendësuesit tim që të kishte kohë për të njohur futbollistët. Më ka kushtuar shumë ai vendim, por si të gjithë gjërat e jetës ka një fillim dhe një fund. Një histori e bukur së cilës i kishte ardhur fundi.

Faleminderit Shqipëri, faleminderit president Duka, faleminderit të gjithë djemve të përfshirë në rrugëtimin drejt një ëndrre, faleminderit që më bëtë të përjetoja emocionet më të bukura të sportive të jetës time“, shkruan De Biasi.