31 Maji ishte data limit e dakordësimit të palëve politike për reformën zgjedhore. Kjo reformë është një nga pikat që duhet plotësuar për negociatat me BE-në, por edhe një pikë e kërkuar me ngulm nga SHBA-të. Mirëpo dje, në ditën e fundit kur pritej ‘tym i bardhë’ nga Pallati i Kongreseve ku Këshilli Politik zhvillonte mbledhjen nën praninë e përfaqësuesit të SHBA, opozita në momentin e fundit ka bllokuar gjithçka, duke nxjerrë kushte të reja. Pavarsisht se i ishin pranuar edhe kërkesat që në fillim dukeshin të pamundura, opozita ka nxjerrë pretendime të reja në fund të takimit, duke pamundësuar arritjen e marrëveshjes.
Janë tre deklarata që e konfirmojnë faktin se opozita ka bllokuar marrëveshjen, duke gënjyer SHBA dhe duke penguar njëkohësisht rrugëtimin e vendit drejt BE-së. Socialisti Damian Gjiknuri e tha që mbrëmë në daljen e tij për mediat faktin se opozita kishte nxjerrë kushte të reja mbrëmë, duke bllokuar konsensusin. ”Sot që flasim kemi vetëm një produkt gati të përfunduar. Kemi gjetur hapësirën dhe do t’i përfshijmë, por nuk mundet që pasi biem dakort dhe pasi reflektojmë një pjesë të mirë për kërkesat që ishin parakusht, edhe me dëshmitarë ndërkombëtarë, të çedohet dhe të dilet me kërkesa të reja.”, tha Gjiknuri mbrëmë pas daljes nga takimi.
Por, nëse deklarata e Gjiknurit mund të paragjykohet për faktin se ai është palë në atë proces, ajo që nuk mund të diskutohet (dhe që konfirmon atë që në fakt Damian Gjiknuri tha mbrëmë), është deklarata e fortë e SHBA-ve paraditen e sotme. Me një reagim që tregonte hapur zhgënjimin nga Lulzim Basha, ambasada e SHBA teksa i tregon opozitës se ishte ajo që kishte vendosur vetë si afat 31 majin (gjë që e ka thënë e stërthënë edhe vetë Basha), thekson se tani është koha që të ndaloni të insistoni në pozicione jo të zbatueshme dhe / ose vendosjen e kushteve të reja. ”Të gjitha palët kanë treguar lëvizje dhe ato janë jashtëzakonisht të afërta. Ju vendoset një qëllim, ju vendoset një afat më 31 maj. Tani është koha që të ndaloni të insistoni në pozicione jo të zbatueshme dhe / ose vendosjen e kushteve të reja. Koha për ta mbajtur fjalën tuaj te qytetarët e Shqipërisë.”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA.
Fill pas reagimit të SHBA, ka reaguar edhe BE me anë të ambasadorit Soreca. Ky i fundit teksa thekson rëndësinë e reformës, i kujton opozitës se reforma Zgjedhore në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODHIR është kusht i domosdoshëm për të ecur përpara në integrimin Evropian.“Reforma Zgjedhore në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODHIR është kusht i domosdoshëm për të ecur përpara në integrimin Evropian. Një marrëveshje e menjëhershme nga të gjitha palët në Këshillin Politik është e mundshme dhe duhet të arrihet tani për të nisur negociatat e pranimit në Bashkimin Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur.”– shkruan Soreca në Tëitter.
Të tre deklaratat e mësipërme tregojnë qartë se kush është bllokuesi i marrëveshjes, i cili me kushtet e reja tregon edhe njëherë se nuk ka interes për rrugëtimin Europian të Shqipërise apo reformë zgjedhore./F.Muça