Nga Mero Baze/
Ka tre propozime për ndryshimet kushtetuese që lidhen me Reformën Elektorale nga opozita parlamentare.
E para është hapja e listave. E dyta korrektimi propocional 5 për qind për një parti që mund të hyjë në Kuvend edhe pse nuk ka fituar në ndonjë qark. E treta është heqja e koalicioneve parazgjedhore.
Ndaj këtij propozimi ka një mbështetje në distancë nga SHBA që reflektohet dhe sot nga takimi i ambasadores Yuri Kim me Rudina Hajdarin. Por ka një agresion për të denigruar dy propozimet e fundit, pragun 5 për qind dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore.
Ndërsa për listat e hapura ka mbështetje popullore, për këto të dyja ka konfuzion. Dhe kjo duhet sqaruar mirë, sidomos lidhja e listave të hapura me koalicionet parazgjedhore. Nëse hapen listat dhe ruhen koalicionet parazgjedhore atëhere dy partitë e mëdha do të fusin tek “treni” i partive të vogla elementë kriminalë, duke larë duart nga përgjegjësia, pasi nuk janë të tyre formalisht. Dhe kjo do të asgjësojë dekriminalizimin.
Në dy zgjedhjet e fundit, elementet që preku ligji i dekriminalizimit vinin nga koalicionet parazgjedhore. Ndaj, nëse listat hapen duhet të ikin koalicionet parazgjedhore. Së dyti, pragu 5 për qind vendos standard për partitë e vogla që nuk ja dalin dot në qarqe. Ka parti që marrin vota për 3 deputetë dhe nuk marrin dot deputetë sepse votat e tyre në qarqe i thithin sipas formulës, dy partitë e mëdha.
Korrektimi proporcinal kombëtar e korigjon këtë gjë dhe e çon votën atje ku është nisur. Ndaj të dy propozimet e debatueshme janë në interes i partive të vogla. Fakti që SHBA po reflekton dhe po u jep mbështetje këtyre ideve, tregon se opinioni publik ka bërë punën e vet dhe e ashtuquajtura marrëveshje zgjedhore ishte një betim për të mos ndryshuar asgjë.
Ndaj përpjekja e PD për të demonizuar këto propozime është për të ruajtur monopolin e saj mbi partitë e vogla, me shpresë që të marrë votat e tyre. E kuptoj që e kanë hall, por shoqëria duhet të shikojë hallet e saj jo të Lulzim Bashës dhe Ilir Metës.