Me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit, mesazhi i së cilës është “Është koha për natyrën” Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura sjell sot në vëmendje aktivitetet detare, të cilat janë ende në fillimet e veta. “Ne jemi në kohë për t’i zhvilluar ato duke plotësuar në përputhje me standardet ekologjike, pa ndotur ujërat dhe pa dëmtuar habitatet natyrore dhe gjallesat nën ujore”, bën të ditur AKZM. Sipas saj, presioni po rritet në zonat detare dhe bregdetare të Shqipërisë dhe kërcënon të ardhmen e asaj, që e bën turizmin kaq të veçantë në vendin tonë.

“Ne duhet të planifikojmë aktivitetet e ardhshme në Adriatik në një mënyrë të qëndrueshme. Kjo është mënyra e vetme për të mbështetur një ekonomi blu në zonë. Roli i shkencëtarëve është thelbësor, pasi të dhëna e qarta kontribuojnë në marrjen e vendimeve, politikave më të mira në këtë sektor duke ndihmuar në mbajtjen pastër të ujërave detare dhe të kemi një det të shëndetshëm dhe të sigurt për një afat të gjatë”, – thekson AKZM. AKZM sqaron se na nevojiten peshkatarët, sektori i aktiviteteve detare, lundrimi dhe të gjithë përdoruesit e detit , të ndihmojmë për të siguruar të gjithë përfitime nga deti Adriatik, sot dhe në të ardhmen, por pa e dëmtuar atë.

“”Projekti Adriatik GEF është ndërtuar në bashkëpunim me politikat dhe institucionet shkencore, për të hartuar politikat e ardhshme, mobilizimin e mundësive të financimit, nisjen e nismave të reja që mbështesin ekonominë e qëndrueshme blu dhe shkëmbejnë praktikat më të mira. Cilado qoftë roli dhe përgjegjësia juaj, nëse jeni i përfshirë në menaxhimin e burime detare në Adriatik, ne kemi nevojë për ju, mos hezitoni të na kontaktoni”, – tha Marina Marković, koordinatore projekti. Dita Botërore e Mjedisit është dita kulmore e aktiviteteve mjedisore. Që nga viti 1974, festohet çdo vit më 5 qershor: angazhimi i qeverive, bizneseve, personave të famshëm dhe qytetarëve për të përqendruar përpjekjet e tyre në një çështje të ngutshme mjedisore. Ushqimet që hamë, ajri që thithim, uji që pimë dhe klima që e bën planetin tonë të banueshëm, të gjitha vijnë nga natyra.

Për shembull, çdo vit, bimët detare prodhojnë më shumë se gjysmën e oksigjenit tonë të atmosferës, dhe një pemë e pjekur pastron ajrin tonë, thith 22 kg dioksid karboni, duke lëshuar oksigjen në këmbim. “Pavarësisht nga të gjitha përfitimet që na jep natyra jonë, ne ende e keqtrajtojmë atë. Kjo është arsyeja pse duhet të punojmë për këtë. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për këtë Vëzhgim”, – tha AKZM.