Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe ishte i ftuar në studion e A2 Business Week ku foli rreth situatës së krijuar së fundmi me përfaqësuesit e transportit publik, të cilët refuzojnë të rinisin punën pa u përmbushur kushtet e tyre nga ana e qeverisë.

Blendi Gonxhe u shpreh se situata është e vështirë për këtë sektor, por palët nuk duhet që t’i vendosin ultimatume njëri-tjetrit, pasi kjo gjë varet nga pandemia. Ai shtoi se operatorët nuk mund të përfitojnë nga situata e Covid për të rregulluar probleme dhjetëra vjeçare

“Ne jemi në dijeni të kësaj situate të vështirë që janë duke kaluar operatorët dhe nuk dua të fshihem, por kjo është një situatë dinamike që mund të ndryshojë me orë, ku protokollet janë krejtësisht provizore.

Kjo situatë ndikohet nga ajo që ndodh në spitalet tona dhe nga kapacitetet shëndetësore. Transporti hyn tek ato shërbime që ne po riskojmë ta rihapim dhe nuk e kam fjalën ne si shtet dhe ata si operatorë, por të gjithë së bashku.

Kemi një situatë Covid për të cilën nuk mund të bëjmë sikur nuk ekziston. Të dyja palët nuk duhet të luajmë keq me njëri tjetrin. Nuk mundet që me rastin e Covid të rregullojmë probleme që kanë 20-30 vite në treg”, u shpreh Gonxhe.