Nga Artur Ajazi/
“U bë deti kos, hajde marrim një lugë”. Kjo shprehje kaq popullore dhe filozofike u shkon për shtat sot, atyre që deri dje kishin “grada” shkencore, pushtetore, ushtarake dhe policore, dhe që shkatërruan nga themelet shtetin, përdhosën ligjet, dhe zhvatën milionat.
Ditët e fundit (të para mbylljes së zgjedhores) nuk dihet sepse nga SHQUP-i, kanë ardhur reagime skandaloze dhe kryekëput militanteske, nga ish-ministra, ish-pushtetarë, që deri dje mbanin “grada” të larta qeverisëse, që kanë nisur të flasin si “e ëma e Zeqos majë thanës”.
Dalin ish-ministrat e Shëndetsisë, që e shkatërruan sistemin mjeksor, spitalor, atë të shëndetit publik, që shkatërruan qendrat shëndetsore dhe poliklinikat e qyteteve, dalin ish-ministrat e Drejtësisë dhe ata të MPB, që kthyen në sistem korrupsionin në dikasteret e shtetit.
Dalin ish-ministrat e Arsimit që e kthyen 100 vjet mbrapa sistemin arsimor në Shqipëri, dalin gjeneralë dhe ish-funksionarë të ushtrisë dhe policisë, që i lanë policët, ushtarët dhe oficerët, pa uniforma, pa kambale dhe kapele, dhe japim “mendime dhe leksione” se si bëhet shteti, si zbatohet ligji, si mund të “dalim nga kriza” apo dhe si mund “të mundim COVID-19”.
Kontigjenti më i paaftë që ka patur ndonjëherë Shqipëria në qeverisje, nga 2005 deri 2013, që drejtoi në mënyrën më skandaloze vendin, që shumë prej tyre sot duhej të ishin në burg, dalin majë SHQUP-it, dhe japin “lajme me akuza dhe denoncime” për kryeministrin, ministrat, dhe deri për mjekët e spitaleve.
Një situatë, sa e turpshme aq edhe komike, tek shikon se si shqupistë dhe aleatë të tyre, që Prokuroria duhej ti kishte me kohë në ndjekje penale, kanë nisur të “flasin” dhe “zgjohen” nga gjumi letargjik. Këmbana e tyre, natyrisht është Lulzimi, që i kurdis si me program të koduar, dhe i mbush mëndjen se “erdhi koha, Rama do të bjerë, ndaj të nisim sulmet”. Po mirë, “a bie mali me gurë”, aq më tepër me gurë prej letre ?
Padyshim, një opozitë bëhet edhe më serioze, edhe më korrekte edhe më e besueshme dhe frymëzuese, kur ajo akuzon dhe denoncon me fakte atje ku është vendi, në Prokurori, dhe jo në rrjetet sociale.
Që “qytetari dixhital” po bën namin vitet e fundit në “sukseset” e ish-opozitaristëve, kjo as nuk diskutohet, por që të trajtohen si “realitete” ëndrrat dhe mashtrimet e kryetarit dhe ish-ministrave, dhe që lajmet e Doktorit të bëhen deklarata shtypi, kjo duhet parë ndryshe pastaj.
Ish-opozita e vetdjegjes së mandateve, ajo e braktisjes së çdo marrëdhënie dhe bashkëpunimi institucional me shumicën qeverisëse, ajo që ka humbur tanimë besimin edhe të faktorit ndërkombëtar, po mundohet të riciklohet përmes “xhaketave të vjetra”.
Por a mundet, që shqiptarët të besojnë si “lajme të vërteta” deklaratat e shtypit që mbushen nga informacionet e “qytetarit dixhital” apo më keq akoma, nga montazhierët e bodrumeve të SHQUP-it, që nuk janë paspak profesionistë ?
Padyshim përgjigjen më të mirë atyre ja kanë dhënë, dhe do t’ja japin sërish shqiptarët kur të vijë dita. Atyre që erdhën nga hiçi, u bënë “pushtetarë”, u “ diplomuan dhe graduan” në universitetet kioska, dhe sot parfumosen dhe kapardisen majë fuoristradave 100 mijë euroshe, u ka mbetur të mbajnë shpresë tek “firmëtarët” e peticioneve, dhe ndonjë këshillë rastësore, që vjen nga Presidenca.