Pas vlerësimit të situatës aktuale, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të mos ketë kthim mbrapa, duke e vlerësuar situatën si të qëndrueshme, por për më shumë siguri, u vendos shtyrja e hapjes së transporti publik, si aktivitet me rrezikshmëri të lartë
Prof. Mira Rakacolli Kryetare e Komitetit Teknik të Ekspertëve Siç jeni në dijeni, javën e fundit ka patur rritje të numrit të të infektuarve në vend dhe për të analizuar situatën epidemiologjike është mbledhur sot Komiteti Teknik i Ekspertëve. Ne vlerësojmë se kjo rritje e numrit ka ardhur si pasojë e uljes së vigjilences, shkujdesjes dhe mos respektimit të rregullave të distancimit fizik në aktivitetet e jetës së përditshme.
Gjithsësi, pas shqyrtimit të të gjithë treguesve në rastet e reja ditore, situtën në spitale dhe pacientët në terapi intensive, Komiteti Teknik vlerëson se situata mbetet e kontrolluar.
Sa më sipër, kemi vendosur të mos ketë hapa prapa në strategjinë e rihapjes, por për më shumë siguri, në kushtet aktuale, kemi vendosur të shtyhet për të paktën një javë hapja e transportit publik, si një shërbim me risk të lartë në këtë situatë epidemiologjike. Ecja përpara është në dorën tonë, ndaj nuk mundet të sfidojmë rregullat, duhet vetëm ti zbatojmë ato, të ruajmë njëri- tjerin, të moshuarit, të ruajmë distancimin fizik, higjenën personale, të përdorim maskat apo barrierat mbrojtëse në vendet e mbyllura, aty ku nuk mund të sigurohet distancimi fizik si dhe një apel për të gjithë aktivitetet e biznesit, të zbatojnë protokollet sipas nivelit të riskut. Ne do të vijojmë monitorimin e situatës, dhe gjithashtu do vijojmë punën intesivisht nëpërmjët inspektorëve të Task-Forcës kundër COVID19, për të siguruar zbatimin e plotë të rregullave dhe protokolleve të sigurisë, por nevojitet akoma me shumë përgjegjësi për të mirën e përbashkët. Të vijojmë të kemi të njëjtën përgjegjësi sin ë fazën e parë, në mënyrë që edhe këtë fazë, ta kalojmë po me aq sukses.