Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka njoftuar se transporti publik do të rinisë aktivitetin duke filluar nga data 15 qershor. Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të MIE, ku jepen edhe detajet kryesore të rregullave përmes të cilave do të rifillojë ky aktivitet kaq i rëndësishëm.
Në funksion të ruajtjes së distancave ndërmjet pasagjerëve, çka konsiderohet si shumë e rëndësishme nga ISHP, në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes CODIV-19, automjetet e transportit publik do të funksionojnë me 70% të kapacitetit të tyre të lejuar. Ndërsa të gjithë pasagjerët si dhe personeli i shërbimit do të duhet të jenë të pajisur me maska.
Transporti publik, ashtu si të gjithë aktivitetet e tjera në vend u pezullua me vendim të Qeverisë në fillim të muajit mars të këtij viti, pas nisjes së pandemisë COVID-19. Rihapja e tij ka qenë më e vështirë se sa ajo e aktiviteteve të tjera, për shkak të specifikave që ka ky sektor dhe rrezikut të shtuar që paraqet në përhapjen e virusit, rrjedhojë e masivitetit që ka përdorimi i këtij transporti nga qytetarët.
Rifillimi i punës së transportit publik, pritet të shoqërohet me masa të forta sigurie si dhe me kontrolle rigoroze nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Policisë së Shtetit.
Burime nga MIE informojnë gjithashtu se në bashkëpunim të ngushtë me MFE dhe pushtetin vendor, si përgjegjës i transportit urban, janë studiuar disa masa mbështetëse për rimëkëmbjen e sektorit të transportit, i goditur jo pak si pasojë e pandemisë COVID-19.
MIE ndërkohe prej muajsh po punon për reformimin e thellë të këtij sektori dhe për krijimin e një shërbimi më cilësor, në përputhje me kushtet që i shkojnë përshtat një vendi evropian, por edhe për të krijuar një klimë të favorshme biznesi për të gjithë aktoret e kësaj fushe. Parashikohet që në fund të shtatorit të shpallet strategjia për implementimin e kësaj reforme.