“Deri para disa vitesh luftohej thjesht për mbijetesë, ndërsa sot të ardhurat vjetore të fermerëve të kësaj zone nga eksporti i gështenjës së masivit të Tropojës, janë më e pakta 1 milionë e gjysmë euro”. Kështu shkruan Kryeministri Rama në facebook teksa ka publikuar historine e Bislimit, bletarit nga fshati Markaj i Tropojës që për tre vite rresht është financuar në mbarështim bletësh nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rrual.

Nga masivi i gështenjave në Tropojë, prodhohen çdo vit gati 2500 ton gështenja, 95 % e të cilave shkon për eksport përmes pikave të grumbullimit të ngritura në rajonin e veriut. Në këtë masiv gështenjash gjithashtu, bletarët vendosin kosheret e tyre në mënyrë që bletët të kullosin për të përgatitur më pas mjaltin e gështenjës. Sipas Ramës, Bislimi është një tjetër ndër shumë shqiptarët që s’bëjnë lajm, i cili prej vitesh ka ngritur dy parqe bletësh ku prodhon mjaltin me veti kurative të gështenjës.

Gjatë vizitës në parkun e bletëve të Bislimit, Drejtoresha e Përgjithshme e AZHBR-së, Frida Krifca, njoftoi Bletarin nga Tropoja se përveç financimit për mbarështimin e bletëve nga paratë e buxhetit të shtetit, ai mund të aplikojë serish për ndihmë financiare për të ndërtuar një linjë paketimi apo përpunimi të mjaltit përmes programit IPARD.