Kryeepidemiologu suedez, njeriu që ka hartuar strategjinë e vendit për mos vendosjen e njerëzve nën izolim gjatë pandemisë, ka pranuar se duhej të kishte vendosur më shumë kufizime për të kontrolluar përhapjen e virusit. Për muaj me radhë, Anders Tegnell, mbrojti qëndrimin e tij si të qëndrueshëm, ndërsa kritikoi vendet e tjera për vendosjen e masës së izolimit. Por, të mërkurën, kur një gazetar i tha se shumë njerëz kishin vdekur si pasojë e koronavirusit në këtë vend, Tegnell u shfaqi pendim.

Ai tha më pas: “Nëse do të ndodheshim përsëri në të njëjtën situatë, mendoj se do të vendosnim masa që ishin diku në mes të asaj që bëri Suedia dhe asaj që bëri pjesa tjetër e botës”. Suedia ka nivelin më të lartë të viktimave nga koronavirusi për numër banorësh, në botë. Më shumë se 4,400 persona atje kanë humbur jetën, ndërsa vendet fqinje, Norvegjia, Danimarka dhe Finlanda e kanë numrin e vdekjeve më pak se 600.