Në prag të hapjes së transportit publik, mjekët epidemiolog i bëjnë thirrje qytetarëve të evitojnë sa më shumë lëvizjen me këtë lloj transporti. Ilir Alimehmeti, mjek epidemiolog, i ftuar në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi këshilloi qytetarët të përdorin sa më pak transportin publik. “Unë do të thoja evitoni sa të mundni transportin publik. Po keni mundësi të ecni në këmbë, ecni në këmbë. Po keni mundësi mjete vetjake me mjete vetjake.
Në udhëtime të gjata, nga Saranda në Tiranë është situata ku nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, duhet të jetë sa më i mbrojtur që të jetë e mundur. Në këtë rast maskën patjetër, dorezat nuk bëjnë asnjë lloj pune. Por maskë patjetër dhe të ketë kujdes” – tha Alimehmeti. Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti shtoi se qytetarët duhet të bëjnë kujdes edhe me maskat që përdorin. Ai theksoi se nuk duhet të humbë vigjilenca.
“Bie vigjilenca, bie distancimi fizik, në fakt këto janë shumë më të rrezikshme. Dhe duhet të kujtojmë që maska është njëpërdorimëshe, t’i harrojmë të gjithë elementët. Jo lahen, jo sterilizohet, çdo manipulim që i bëni asaj maske ajo maskë dëmtohet. Maska është një përdorimshe, nuk ka ende asnjë maskë sot në prodhim e cila të jetë shumëpërdorimshe. Dhe për siguri, nëse arrini të merrni frymë lirisht përmes maskës, maska nuk është duke ju mbrojtur” – theksoi Alimehmeti. Nga ana tjetër, epidemiologu Alimehmeti këshillon qytetarët të mos përdorin doreza. “Dorezat nuk duheshin përdorur kurrë. Të gjitha evidencat janë kundra. Jo vetëm që nuk mbrojnë, por janë rrezik”- theksoi Alimehmeti në Përballë.