Portali i njohur i Brukselit, EuObserver ka komentuar publikimin e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, tre ditë para mbajtjes së një takimi të rëndësishëm në Uashington mes Kosovës e Serbisë, takim që tashmë është anulluar. “Një gjykatë e krimeve të luftës, e mbështetur nga BE, stigmatizoi publikisht presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke shkatërruar planet për një samit të Ballkanit Perëndimor.
Gjykata e financuar nga BE dhe SHBA u krijua në vitin 2016 për të hetuar krimet e pretenduara të guerilasve shqiptarë në luftën e vitit 1991 deri 1999, në të cilën Kosova u shkëput nga Serbia.
Ajo është e vendosur në Hagë për shkak të frikës së intimidimit të dëshmitarëve në Kosovë. Lajmi doli tre ditë përpara se Thaçi të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç të shtunën në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar një marrëveshje paqeje. Dhe kjo bëri që Thaçi të anulojë bisedimet disa orë më vonë.
Lajmi erdhi po ashtu mes përpjekjeve rivale të BE për të rinisur bisedimet e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, që kanë ngecur në vitin 2018. Shërbimi i Jashtëm i BE nënvizoi pavarësinë e gjykatës, duke mos pranuar të komentojë akuzat ndaj Thaçit.
Por ata i dhanë besueshmëri historisë së gjykatës se Thaçi po bënte fushatë për të minuar punën e tyre. “Gjykata duhet të bëjë punën e saj… pa ndërhyrje nga jashtë,” tha shërbimi i jashtëm i BE””, shkruan EuObserver në analizën e saj.