Emetimi i një Eurobondi sovran (shtetëror) në tregjet ndërkombëtare në përgjithësi për çdo vend, por sidomos për vende me ekonomi të vogla dhe të cilat nuk kanë frekuencë te lartë në daljet për financim në tregjet ndërkombëtare si rasti i Shqipërisë, përbën një event me rëndësi të veçantë.

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Adela Xhemali në një intervistë për ATSH-në shprehet se rëndësia qëndron jo vetëm thjesht në plotësimin e nevojës për financim për garantimin e mbarëvajtjes normale të buxhetit të shtetit dhe operacioneve të tij, por për më tepër përbën një provë të drejtpërdrejtë për të gjithë ekonominë e vendit, mbarëvajtjen dhe perspektivën e saj.

Pra, thotë ajo, suksesi i realizimit të tij është i një rëndësie të veçantë për vendin.

“Në kushtet në të cilat ndodhet vendi si rrjedhojë e dy ngjarjeve (goditjeve) me impakt të konsiderueshëm negativ në ekonominë e vendit, rëndësia e realizimit të emetimit, sigurisht që merr edhe më tepër peshë, kjo duke konsideruar edhe termat e këtij financimi të cilat janë veçanërisht favorizuese për situatën në të cilën gjendeshin tregjet ndërkombëtare financiare në muajt e fundit”, deklaroi Xhemali.

Shuma e siguruar, shprehet ajo, është në përputhje me atë çfarë ishte planifikuar fillimisht në buxhetin 2020, pra përpara dy goditjeve, plus nevojën shtesë për financim prej efekteve negative në ekonominë dhe financat publike të ardhura nga dy goditjet, veçanërisht nga ajo e pandemisë.

“Më konkretisht, në fillim të nëntorit të 2019-s, kur dhe u iniciuan formalisht procedurat në MFE për mundësimin e kësaj dalje në tregje, u planifikua një vlerë nga 500 – 600 milionë euro, ndërsa pas goditjeve vlera u shtua deri në 650 mln Euro, dhe kjo ishte edhe vlera përfundimtare që u emetua, pavarësisht që “libri” me kërkesat e investitorëve në një pikë arriti edhe 3.3 miliardë euro, pra pavarësisht se mundësia për të emetuar një shumë edhe më të lartë ishte e plotë”, thekson zv/ministrja Xhemali.

Theksojmë, vijon ajo, se në tregun e brendshëm burimet për sigurimin e financimit të nevojshëm janë të kufizuara, dhe nëse i gjithë financimi i nevojshëm i qeverisë do të sigurohej në tregun e brendshëm, kjo do të kufizonte hapësirat e kreditimit të biznesit.

“Përveç kësaj, sigurimi vetëm në tregun e brendshëm të financimit të nevojshëm do të shoqërohej me risk më të lartë rifinancimi dhe presion rritës mbi normat e interesit, çka do të kufizonte arritjen e objektivave strategjike të menaxhimit të borxhit në drejtim të risqeve por edhe të kostove”, deklaroi Xhemali.

E pyetur se a përbën rrezik për vendin rritja e borxhit në këtë nivel, Xhemali shprehet se një rritje e pakontrolluar dhe e pamenaxhuar si duhet e borxhit publik do të krijonte një terren jo të qëndrueshëm për financat publike.

Por, absolutisht, thekson ajo, nuk jemi në një situatë si kjo.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka menaxhuar dhe mundësuar një nivel borxhi të qëndrueshëm, që ka ndjekur një trajektore rënëse në pesë vitet e fundit, dhe që ka shënuar tregues gjithnjë e në përmirësim”, shpjegon zv.ministrja.

Në mënyrë të pashmangshme, thotë ajo, kjo periudhë që po kalon vendi ynë, ashtu si dhe në të gjitha vendet në rajon e më gjerë, do të pasohet me një rritje të borxhit publik.

“Por duhet të theksojmë se, ashtu si edhe në situata normale, nga institucioni i kushtohet vëmendje e veçantë mirëadministrimit të borxhit, burimeve nga sigurohet ky borxh dhe termat me të cilat po sigurohet, për të përmbushur dhe objektivin primar që kemi në këtë fushë, dhe që ka të bëjë me plotësimin e nevojave të buxhetit të shtetit për financim, si edhe nevojave për të shërbyer borxhin aktual me kosto sa më të ulët dhe duke mbajtur nivele të pranueshme të ekspozimit ndaj risqeve”, deklaron Xhemali.

E menaxhuar si duhet, vuri në dukje zv.ministrja, kjo rritje e borxhit publik dhe deficitit fiskal do jetë e përkohshme (afatshkurtër), dhe do të kthehemi sërish në trajektoren rënëse të mundësuar nga reforma serioze të konsolidimit të financave publike, që synojnë qëndrueshmërinë e këtyre të fundit në afat të gjatë.

Shqipëria arriti që të sigurojë një financim prej 650 milionë euro nëpërmjet emetimit të një Eurobondi në tregjet ndërkombëtare financiare, me një normë interesi të vendosur nga tregu në nivelin prej 3.625% (kupon i fiksuar prej 3.5%) dhe afat maturimi prej 7 vitesh.

Kjo është hera e katërt që Qeveria Shqiptare emeton një instrument në tregjet ndërkombëtare, dalje e cila ka dëshmuar një interesim dhe besim të shtuar të investitorëve ndaj instrumenteve të borxhit të vendit tonë.