Kryeministri Edi Rama dhe ministreja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar ditën e sotme strukturën e re spitalore në autostradë e cila tashmë ka përfunduar me standarte bashkëkohore dhe do të jetë në dispozicion për trajtimin e të prekurve me COVID19.
Ministrja Manastirliu ka deklaruar se ky spital ka 100 shtretër dhe është një strukturë që rrit kapacitetet e spitaleve për trajtimin e COVID19 nëse do të jetë e nevojshme për përballimin e çdo fluksi të mundshëm.
“Kapaciteti i këtij spitali është 100 shtretër. Janë 50 shtretër me oksigjen përfshirë këtu edhe terapinë intensive. Çdo kat është i njëjtë, janë organizuar dhomat e mjekëve, dhomat e personelit shëndetësor kanë mobilim përkatës. Është strukturë që na rrit kapacitetet tona të spitaleve. Në skenarët tanë kemi planifikuar në total 500 shtretër. Pas COVID1, COVID2, COVID3 shtohet edhe COVID4 në kuadër të përgatitjes për përgjigjen ndaj COVID19”, u shpreh Manastirliu.Ministrja e Shëndetësisë theksoi se struktura që është vendosur në dispozicion nëpërmjet vendimit të qeverisë për spital karantinë do të bëhet pjesë e skenarëve në momentin që ka një fluks të shtuar të rasteve pozitive.
“E kemi menduar që do të bëhet pjesë në skenarët tanë në momentin që do të kemi një fluks të shtuar të rasteve pozitive dhe që kapacitetet aktuale të spitaleve mund të mos e përballojnë, për pacientët që trajtohen psh në Spitalin COVID1 në rastet kur ata përmirësohen dhe të duan periudhën e kavalishencës, do të vendosen në këtë spital”, tha Manastirliu.Manastirliu tha se struktura e re spitalore plotëson të gjitha kushtet pasi ka dhomë tirazhi, sallë kirurgjie dhe terapi intensive. Kjo strukturë do të përdoret në rastet e shtimit të rasteve në fazën e hapjes, gjatë sezonit ose nëse do të ketë një valë të dytë në vjeshtë.