Forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës ishte në qendër të diskutimeve në takimin online mes Ministrit të Drejtësisë së Shqipërisë, Etilda Gjonaj dhe homologut nga Kosova, Selim Selimi.
Duke i uruar suksese në detyrë, Gjonaj, në takimin me Ministrin e Drejtësisë në Kosovë, Selimin ka bërë me dije forcimi dhe thellimi i bashkëpunimit midis institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë ishte në qendër të diskutimeve.
“Falenderoj për bisedën miqësore dhe i uroj suksese në detyrë Ministrit të ri të Drejtësisë së Kosovës, Selim Selimi. Forcimi dhe thellimi i bashkëpunimit të mirë midis institucioneve tona ishte në qendër të këtij takimi të parë.”,- nënvizoi Gjonaj.
Ministri Selimi tha se Shqipëria është një zë i rëndësishëm në rrugën e integrimit të Kosovës. “Kënaqësi e veçantë të zhvilloj takimin tim të parë, edhe pse në mënyrë virtuale, me Ministren e Drejtësisë së Shqipërisë, Etilda Gjonaj. Bashkëbisedim i frytshëm për mënyra të reja të thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit bilateral në fushën e drejtësisë”,- tha ai.
“Shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira me Shqipërinë, na shërben në rrugën tonë të anëtarësimit në BE. U pajtuam të punojmë ngushtë së bashku për të përmbushur potencialin e madh dhe për t’i dhënë vlerë të shtuar marrëdhënieve tona tashmë të shkëlqyera. Përkrahja e Shqipërisë, si zë i fuqishëm për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar, është e pazëvendësueshme”,- përfundoi Selimi.