Bashkia e Kamzës shpërndan sot 163 milionë e 890 mijë lekë për 771 familje, të cilat përfitojnë drejtpërdrejt nga dhënia e granteve të para të rikonstruksionit dhe riparimit të banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se “jemi këtu për të ndarë edhe me publikun vijimin e procesit të dëmshpërblimit të familjeve të prekura nga tërmeti. Janë dy kategori qytetarësh që përfitojnë: qytetarët që kanë humbur shtëpitë, të cilët janë sistemuar në pjesën dërrmuese me qira deri në momentin e rindërtimit të shtëpisë apo ata të cilët janë në fshat pranë tokës së tyre dhe në truallin e tyre ekzistues, ende në çadra presin rindërtimin e shtëpive”.
“Nga ana tjetër janë qytetarët, familjet që banojnë në shtëpi qoftë individuale qoftë banesa kolektive të riparueshme. Për këtë kategori ne kemi thënë qysh në krye të herës se do të japim pagesa të drejtpërdrejta, mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për riparimet dhe procesi po vazhdon sot në bashkinë e Kamzës, ku ka filluar dhënia e mbështetjes financiare në postë drejtpërdrejt tek familjet përfituese”, – tha Rama.
Kryeministri u shpreh se “konkretisht bëhet fjalë për 349 përfitues të dëmtuar në shkallën DS1 me dëmtime të lehta, por që kanë nevojë për riparime, 261 përfitues në shkallën DS2, dëmtime më të konsiderueshme sesa të lehta ose mesatare dhe 161 përfitues për shkallën DS3 ose dëmtime të konsiderueshme për të cilat qeveria paguan drejtpërdrejtë riparimin”.
“Sot që flasim janë 9 bashki që kanë miratuar listat e përfituesve me vendim të këshillit bashkiak, konkretisht në bashkitë Shijak, Kamzë, Rrogozhinë, Kurbin, Mirditë, Vorë, Kavajë, Krujë pjesërisht, Tiranë pjesërisht dhe pritet këtë javë të ecim me tutje qoftë me Tiranën, edhe me Durrësin”, – tha Rama. Kreu i Qeverisë u shpreh se “deri tani tani janë 9429 përfitues dhe në total kemi një shumë paraprake prej 3 miliardë lekësh, ose 30 milionë dollarë që po shpërndahet tek qytetarët”.