Bashkia e Shijakut u bën apel të gjithë familjeve që kanë të dëmtuar shtëpinë në nivelin DS1, DS2 dhe DS3, si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, të paraqiten në sportele për të nënshkruar kontratën për të përfituar nga programi i granteve të Rindërtimit.

Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, ka bërë të ditur se kjo procedurë është me zero taksë, zero pagesë dhe vetëm me kartë identiteti.

“Të gjitha familjet që kanë dëmtim të shtëpisë me nivel dëmi DS1, DS2, DS3 të vijnë pranë bashkisë, apo njësive administrative për të lidhur kontratat që të përfitojnë nga pagesat e programit të granteve për rindërtimin, të akorduara nga qeveria shqiptare dhe kryeministri Rama”,- theksoi Arbana.

“Zero taksë, për procesin e granteve. Zero pagesë, për procedurat e procesit të përfitimeve të granteve. Nevojitet vetëm prania juaj me një kartë identiteti për të lidhur kontratën. Me të gjithë pjesën tjetër të procedurave merret administrata. Ku ka vullnet, ka zgjidhje”,- nënvizoi kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana.