Sulmuesi i Barcelonës, Antoine Griezmann, ka bërë të ditur se ai dëshiron ta përfundojë karrierën e tij në ligën elitare të futbollit në SHBA, Major League Soccer (MLS).
Liga amerikane njihet për transferimin e futbollistëve të njohur në futbollin evropian gjatë periudhës së fundit të karrierës së tyre, përfshirë këtu lojtarë si David Beckham, Andrea Pirlo e Zlatan Ibrahimovic, transmeton Gazeta Express.
Ndërsa këtë sezon, ish-sulmuesi i Manchester Unitedit dhe Real Madridit, Javier Hernandez, i është bashkuar LA Galaxy, ndërsa ish-mesfushori i Tottenhamit, Victor Wanyama, ka kaluar te Montreal Impact.
Dhe duket se të njëjtin hap në karrierën e tij synon ta bëjë edhe francezi Griezmann, përkundër që e ka bërë të qartë se synon ta vazhdojë karrierën e tij me Barcelonën të paktën edhe për dy vjet të tjera.
“T’i fitoj titujt e La Ligës dhe Ligës së Kampionëve me Barcelonën do të ishte si ëndërr për mua. Ky është edhe synimi im”, ka thënë Griezmann, në një intervistë të dhënë për Los Angeles Times.
“Pas këtyre fitoreve, s’ka rëndësi çfarëdo që do të ndodhë. E kemi edhe një Kupë të Botës, Kupën e Botës në Katar. E pastaj kësaj, në MLS”.
“Nuk e di me cilën skuadër, por me të vërtetë dua të luaj atje. Unë e kam synim ta përfundoj karrierën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi që dua të jem pjesë e rëndësishme e një skuadre dhe të luaj mirë për të luftuar për titullin”.