Hidhet zyrtarisht hapi i parë për realizimin e një tjetër vepre të rëndësishme infrastrukturore, për Tunelin e Llogarasë. Kjo vepër është pjesë integrale e konektivitetit së bashku me aeroportin ndërkombëtar të Vlorës dhe me korridorin Adriatiko – Jonian. Projekti parashikon ndërtimin e një tuneli me gjatësi rreth 6 km, i cili nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në prani edhe të kryeministrit Edi Rama, njoftoi hapjen e garës ndërkombëtare për projektin e detajuar inxhinierik të Tunelit të Llogarasë si dhe prezantoi detaje nga ndërtimi i kësaj vepre dhe impaktit, që pritet të ketë ajo në ekonomi.

“Strategjia e qeverisë Rama për nxitjen e zhvillimit të industrisë së turizmit vazhdon të japë frytet e saj, duke i sjellë Shqipërisë jo vetëm të ardhura, por duke ndërtuar një imazh për të cilin, pas shumë vitesh, breza të tërë do të përfitojnë. Megjithatë strategjia e turizmit ka nevojë për mbështetjen e të gjithë sektorëve të tjerë dhe mbi të gjitha për mbështetjen e sektorit të infrastrukturës’, u shpreh ministrja Balluku. Duke nënvizur rëndësinë që ka për mbështetjen e turizmit, kjo vepër infrastrukturore ministrja tha se “tuneli i Llogarasë ka qenë një ëndërr, jo vetëm e çdo qeverie, por e çdo udhëtari, e çdo shqiptari në të gjithë rajonin, i cili ka dëshirë të aksesojë jugun e vendit tonë, një perlë, një rivierë që po bëhet gjithmonë e më e njohur, kudo në faqet ku reklamohen sitet turistike të Europës por dhe të gjithë botës”.

Projekti do të jetë efiçent përsa i përket kohës, efiçent përsa i përket kostos së karburantit të harxhuar dhe përdorimit të automjeteve dhe sigurisht mbi të gjitha, elementin e tretë, atë të sigurisë rrugore, i cili ofrohet për të gjithë drejtuesit e automjeteve private, por edhe për të gjithë drejtuesit e automjeteve të mëdha që transportojnë turistët. Për të përshkruar sot aksin Orikum – Palasë, përmes Qafës së llogarasë, duhen përafërsisht 55 minuta. Ndërkohë sipas llogaritjeve në studimin e parafizibilitetit, duke kaluar përmes tunelit prej 6 km, me një shpejtësi 50-80 km/orë, do të bënte që kjo rrugë të përshkohej për 7- 10 minuta. Ministrja Balluku në prezantimin e saj tha se ishin diskutuar dy opsione për projektin e kësaj vepre dhe pas analizimit të kujdesshëm të të gjithë elementëve ishte vendosur për opsionin më të favorshëm në të gjitha drejtimet. Ky tunel përshkon në një mënyrë të butë dhe pa pendenca të rrezikshme të gjithë malin e Llogarasë, për të dalë në pikën e Urës së Palasës, duke u lidhur pastaj me një aks prej 1.4 kilometrash me rrugën e Dhërmiut.

Më tej ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë foli për impaktin, që ky tunel do të ketë në ekonominë e zonës, por gjithashtu në ekonominë shqiptare. I përkthyer në shifra, tuneli i Llogorasë në ekonomi arrin 550 deri në 650 milionë euro ndikim direkt dhe indirekt, ndërsa punësimi që kjo vepër do të nxisë, arrin deri në 11 mijë e 600 të punësuar. “Tuneli Llogarasë është një projekt shumë i dashur për të gjithë ne, por mbi të gjitha për pushuesit shqiptarë dhe shumë shpejt edhe për ata të huaj, por edhe për banorët e zonës së jugut, pasi kjo vepër nuk do të sigurojë vetëm akses të shpejtë e të sigurt drejt perlës së Ballkanit, por do të kontribuojë edhe në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë turistike”, e ka përfunduar prezantimin e saj ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Tuneli i Llogarasë do të ketë një karrexhatë me dy sense lëvizjeje dhe një tunel emergjence. Gjatësia e rrugës në hyrje dhe dalje të tunelit, që e lidh atë me pjesën tjetër të aksit do të jetë 2 Km dhe shpejtësia e lejuar 50-80 km/orë. Vepra do të ndërtohet me financim nga buxheti i shtetit dhe gara ndërkombëtare për ndërtimin e saj parashikohet të zhvillohet në fund të këtij viti.