Pas rehabilitimit të 7 rrugëve në bllokun “Enver Preza” në Sauk, banorët e zonës kanë edhe një kënd të ri lojërash për fëmijët. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u rikthye në këtë bllok banimi për përurimin e këndit të lojërave, i cili u ndërtua falë ndihmës nga Tirana Bank.

“Ishim këtu para 3-4 javësh dhe pamë se lagja ishte një djerrinë. Sot Rr. “Enver Preza” ka 7 degëzime rrugësh me kanalizime, ndriçim, asfalt, kurse këndi i lodrave është si qershia mbi tortë. Më vjen mirë që rikthehemi për të disatën herë në Sauk, ku i kemi marrë lagjet me radhë”, tha Veliaj. Ai nënvizoi se fëmijët janë epiqendra e vëmendjes së bashkisë dhe siguroi vijimin e investimeve të tilla. “Me fjalë fëmijët i kemi më të rëndësishmit, por hapësirat publike nuk ua vëmë në dispozicion atyre. Në pjesën më të madhe, hapësirat publike, ose kanë qenë, ose janë kthyer në lavazhe, gomisteri dhe parkim makinash. Nëse fëmijët janë vërtet epiqendra e vëmendjes tonë, duhet të jenë edhe epiqendra e qytetit tonë. Pra, hapësirat e vogla mes lagjeve nuk mund të jenë për makinat ose për ferrat, por për fëmijët”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Tirana Bank, Dritan Mustafa, vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës dhe shprehu angazhimin që ky kontribut në dobi të komunitetit të vijojë edhe në të ardhmen. “Çdo bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës është kënaqësi e madhe, sidomos kur kontributet tona të përbashkëta shkojnë në ndihmë të komuniteteve dhe në mënyrë të veçantë ndaj fëmijëve. Në fakt, ky është një detyrim
për të gjithë komunitetin e biznesit, për të mbështetur me të gjitha format këto projekte
të rëndësishme që përmirësojnë cilësinë e jetës së komuniteteve”, tha ai. Kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky nuk është këndi i vetëm i lojërave në kryeqytet. Në 5 vite, Bashkia e Tiranës ka ndërtuar çdo muaj nga një kënd të ri lojërash. “Në 60 muaj punë në Bashkinë e Tiranës kemi një moto: “Çdo muaj do të bëjmë një kënd lojërash”. Në fillim njerëzit talleshin e thoshin: Ç’është ky njeri jo serioz, që merret tërë ditën me kalamajtë. Por, ka më shumë duk sesa të merresh me një pjesë të madhe të të rriturve, të cilët ndoshta gjenerata ime ose gjenerata e prindërve tanë, e kemi përsosur ankesën si stil jetese. Në qytet ka ndryshuar mënyra e jetesës, ka ndryshuar lëvizshmëria, ecim ose në këmbë ose me biçikletë, janë shtuar parqet, fëmijët mbjellin pemë, ndaj dua ta vazhdojmë këtë frymë dhe mezi pres të kemi bashkëpunime të tilla në të ardhmen”, theksoi ai. Veliaj dha një lajm të mirë edhe për familjet e prekura nga tërmeti, të cilat do të marrin pagesat cash, ndërkohë që shumë shpejt nis puna me projektet e rindërtimit. “Në Njësinë 2 kemi rreth 500 pagesa cash për dëmet DS1, DS2 dhe DS3. Në Saukun e vjetër do të rindërtojmë disa shtëpi. Nga java tjetër do të lidhim kontratat me njësinë administrative, që secili të marrë pagesën cash. Pjesa më e madhe e pagesave do të bëhet përmes bankës edhe për efekt transparence. Me të mbyllur pagesat, do të ecim me rindërtimin e shtëpive të para, për të kaluar më pas tek pallatet”, përfundoi ai.

Këndi i ri ka module të ndryshme lojërash, stola, ndriçim dhe më shumë gjelbërim, duke u kthyer në një oaz për të gjithë komunitetin.