Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “heqja e tatimfitimit mbi gjithë biznesin e vogël deri në 2029 dhe heqja e TVSH-në për biznesin me xhiro deri në 100 milionë, do të japë një frymëmarrje dhe energji të re për këtë kategori të biznesit duke krijuar punësim”.

“Më vjen shumë mirë që faktet dhe jo opinionet po na tregojnë përditë se po rikuperojmë shpejt terrenin e humbur nga mbyllja për të përballuar agresionin e COVID-19, që ka vendosur gjithë botën në një pozitë të vështirë. Faktikisht çdo ditë kemi përmirësim në këtë drejtim dhe kjo na bën të besojmë se deri në fund të 4-mujorit të fundit të këtij viti rikompozimi i rreshtave në forcat e punës do të jetë thuajse i plotë dhe pastaj në vijim do të marrë vrull në tremujorin e fundit, apo 4- mujorin e tretë, për të realizuar një kërcim të rëndësishëm në aspektin ekonomik e social duke filluar nga viti i ardhshëm”, tha Rama.

Në këtë drejtim, Kryeministri veçoi sanksionimin me ligj të një sërë masash shumë të rëndësishme siç janë heqja e tatimfitimit mbi gjithë biznesin e vogël deri në 2029 dhe heqja e TVSH-në për biznesin me xhiro deri në 100 milionë”. “Kjo do të japë një frymëmarrje dhe energji të re si dhe një arsye të re dhe të madhe për të punuar duke krijuar punë përmes biznesit të vogël. Kjo vlen jo vetëm për ata që janë Shqipëri por edhe për emigrantët shqiptarë jashtë, në kushtet kur do të jemi vendi i vetëm në rajon ku biznesi i vogël nuk paguan taksë mbi fitimin, TVSH deri në 100 milionë lekë xhiro”, tha Rama.

Rama tha se ka gjithmonë e më shumë raste emigrantësh që janë kthyer dhe po bëjnë histori suksesi duke investuar në Shqipëri. “Kthehen me ambicien për të vënë në jetë këtu atë që kanë mësuar atje. Nga punëmarrës atje kthehen në Shqipëri në punëkrijues”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “natyrisht që rruga e të ardhmes nuk është e lehtë, por nëse kthejmë kokën pas e shohim sa shumë rrugë kemi bërë deri këtu i gjejmë të gjitha arsyet për të besuar se mund ta vazhdojmë rrugën më shpejt, më mirë, me më shumë rezultate, pasi kemi mbjellë shumë gjithë këtë periudhë me reforma, dhe mund të korrim dhe korrim gjithmonë e më shumë nga puna e bërë deri këtu”.