Nga Lorenc Vangjeli
Ka një justifikim perfekt për gjithë humbësit në Shqipëri. Ata që dështojnë në jetën e përditshme, në politikë, në biznes, në dashuri, në familje, në miqësi apo gjithkund tjetër, zgjedhin justifikimin e përbashkët, i cili fajëson shoqërinë shqiptare për çdo disfatë vetjake. “Eshtë shoqëri primitive! Humba në zgjedhje sepse shqiptarët e shesin votën! Dua të iki se ky vend nuk bëhet! E ka nervin e ngordhur! E gënjejnë me një thes me miell dhe një pale bikini outlet-i”.Eshtë njerëzore që e liga të projektohet larg, kurse suksesi të jetë “tokë e xanun” e individit, ndaj dështimi dhe justifikimi janë siamezët sojsezë të gjithësecilit. Por detajet zakonisht gënjejnë për të tërën. Dhe kush beson se është vërtet kështu, nuk ka kuptuar asgjë nga njerëzit e këtij vendi që “vetitë i kanë, por duhej t’i kishin më të arrira…!” Protesta e të rinjve të Tiranës, por dhe gjetkë për minorenen e dhunuar, është polifotoja që dëshmon Shqipërinë ndryshe. Absolutisht më të mirë se ajo që trashëguan ata që po bëhen gati ta lenë trashëgim një brezi që me siguri në të nesërmen e tij do të përbuzë prindërit e Spartakiadave dhe sparkatës mbi dy sisteme, komunizmit që ra vetë dhe demokracisë që nuk po e sendërtojnë as me ndihmën e Perëndimit.
Protesta ishte një shuplakë që godet edhe moralistët, edhe cinikët. Ajo ishte guri në thembrën e ndërgjegjes të kujt e dinte dhe nuk foli, të kujt mundte ta ndalonte, por nuk lëvizi vendit. Eshtë gur për të gjithë që kur zgjedh të bjerë, do të ngjitet nga thembrat drejt kokave të heshtura dhe gojëve të mbyllura me zinxhirin: ç’më duhet mua! Buzëve të vuvosura me trazimin: gjynah, çfarë ndodhi, por larg shtëpisë sime! Me dhëmbët e përqeshjes: duan veshjen e përdhunuesit ndaj më të dobtit, për t’i njohur të drejtën e përdhunimit më të fortit. Drama nga Babruja është vetëm një akt i rradhës në një luftë që nuk mbaron kurrë. Që nuk e fiton dot as me kobure polici, por as vetëm me mësues shkolle që luftojnë për mbijetesë. Ajo është luftë me mentalitetin, me traditën dhe me projeksionin e gabuar që ndërton të ardhmen sipas hierarkisë së forcës dhe me përbuzjen e hierarkisë së mendjes. Epshit nuk i vihet fre as duke ndjekur prostitutat e dërmuara për dy lekë, as duke i përgjuar për muaj me rradhë për të gjetur provat për t’i plasur brenda. As vrasja, varja, djegia e fajtorëve, sic ulërin dëshpërimi e revolta ndaj maskarenjve, as i zhduk, as i largon dhe as i ndëshkon ata dhe as i mbron viktimat e tyre. Nuk duhet revolucioni, mjafton evolucioni i bijve qe protestuan të enjten dhe që janë padyshim më të mirë se prindërit e tyre!
Parrulla që mbante të enjten një çift të rinjsh në protestë, që ironizonte bejten e një kënge të vjetër rakie, “Ina, Ina, mos i hiq br..kët!”, nuk ju drejtohej viktimave të dhunës, por tallej me gjithë hipokritët dhunues e të dhunuar, që kujtohen për shiun vetëm kur bie, për zjarrin vetëm kur i djeg, për tërmetin vetëm kur i shkund dhe për shqiptarët, vetëm kur kanë nevojë për ta si turmë që i ngre në piedestal suksesi. Ajo ironizonte luanët e plotëfuqishëm të këtij skaji Ballkani, që përtej gardhit shndërrohen në lepurushë gazmorë cokollate. Ajo përqeshte të gjithë ata që në të njëjtin avion, kur zbresin tranzit në Vjenë nuk i dallon nga evropianët e tjerë dhe kur kthehen në Rinas, shtyjnë njëri-tjetein si në autobuzin e Laprakës.Protesta ishte dëshmia se shumëkush në Tiranë është lakuriq, por mes nudistëve të moralit, lakuriqësia nuk është mëkat. Mund të jetë vetëm pak volitje më shumë për përdhunuesit e përdhunuar të rradhës. Nëse dikush, ngroh me frymë qafën e dikujt në një ditë të ftohtë, jo gjithmonë e bën për të mdihmuar: ndoshta i afrohet për t’i thënë se cfarë i ndodh Inave në Tiranë, ku shumëkujt, në një mënyrë apo një tjetër, i ka ndodhur t’i ngrohin qafën!