Komisioni Europian pritet të propozojë sot kuadrin negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Arritja e konsensusit mes maxhorancës dhe opozitës për Reformën Zgjedhore, një nga kushtet e Këshillit Europian të vendosur në tetor 2019 për Shqipërinë, pritet të lehtësojë qasjen e vendeve anëtare për caktimin e një date për konferencën e përbashkët mes BE-së dhe Shqipërisë.
Mirëpo, burime diplomatike pohuan se arritja e konsensusit dhe firmosja e marrëveshjes është vetëm hapi i parë në përmbushjen e këtij kushti. Do të duhet që marrëveshja të materializohet në ligj, i cili duhet të votohet me konsensus në Parlament.
Madje, edhe kthimi i marrëveshjes në ligj është vetëm përmbushja e kuadrit ligjor, sepse Këshilli Europian do të shikojë zbatimin e reformave, që do të thotë zbatimin e Kodit të ri Zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme, për të parë standardin e zgjedhjeve në Shqipëri para dhënies së pëlqimit për datën e konferencës së përbashkët mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Deklarata e mbledhjes së Këshillit Europian në tetor 2019 përcaktonte qartë afatet dhe kushtet e çeljes zyrtare të negociatave.
“Në dritën e progresit të arritur në reformat dhe kushtet e vendosura njëzëri nga Këshilli në qershor 2018, Këshilli pajtohet me hapjen e negociatave të pranimit jo më vonë se në gjysmën e parë të vitit 2020, të ftojë Komisionin të paraqesë pa vonesë një propozim për një kornizë për negociatat, në përputhje me konkluzionet e Këshillit Europian në dhjetor 2006”, thuhet në deklaratë. Ndërsa më poshtë kërkohet zbatimi i reformave.
“Para konferencës së parë ndërqeveritare, e cila duhet të zhvillohet jo më vonë se në gjysmën e parë të vitit 2020, në varësi të progresit të bërë, Shqipëria duhet të sigurojë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe të bëjë përparim të mëtejshëm në Reformën Zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHRit. Para se të hapen kapitujt e parë, Shqipëria duhet të trajtojë çështjet e mëposhtme: inicimin e hetimeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të dyshuar për sjellje kriminale, si rezultat i gjetjeve nga procesi i vetingut, inicimi i hetimeve në rastet e akuzave për mashtrim elektoral, sigurimi i funksionimit të SPAKut, të forcojë më tej rekordin e hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përfshirë në nivelin e lartë, të miratojë dhe zbatojë ligjin zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, si dhe të zbatojë çfarëdo vendimi relevant të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019”, thuhet në deklaratën e Këshillit Europian.