Ka nisur prej disa ditësh aplikimi online për Skemën Kombëtare të Mbështetjes për fermerët. Në një intervistë për tirananews.al drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca sqaron dokumentet që duhen dhe kategoritë që përfitojnë nga skema.
Prej disa ditësh ka nisur aplikimi online për Skemën Kombëtare të Mbështetjes për fermerët. Çfarë dokumentesh duhet të plotësojnë ata që të përfitojnë mbështetje financiare?
Aplikimi ka nisur që me 29 maj 2019 dhe pritet të mbyllet më 19 qershor të këtij viti. Që me ditën e parë është vënë re një interes mjaft i lartë i fermerëve që duan të jene pjesë e Skemës Mbështetëse, duke kapur një shifër prej 3900 aplikimesh. Numri është gjithnjë në rritje, shifra këto që tregojnë një besim të shtuar të fermerëve për të aplikuar pranë AZHBR-së. Procesi kryhet nga vetë aplikanti me “zero” dokumente nëpërmjet portalit e-Albania. Ai duhet te jetë përdorues i këtij portali dhe njëkohësisht të ketë NIPT-in me status aktiv. Për t’ju ardhur në ndihmë gjatë procesit të aplikimit, në faqen tonë zyrtare (azhbr.gov.al), është publikuar video-tutoriali, i cili pasqyron çdo hap të njëpasnjëshëm që duhet të ndjekin fermerët, në portalin qeveritar e-Albania nga fillimi deri në përfundimin me sukses të procesit të aplikimit. Gjithashtu, ata mund t’i drejtohen të afërmeve të tyre, të cilët dinë të përdorin kompjuterin ose mund të kërkojnë asistencë në distancë nëpërmjet telefonit (08008383). Një tjetër mënyrë orientimi janë edhe punonjësit tanë të agropikave, zyrat e të cilëve janë të instaluara në 20 rrethe të Shqipërisë.
Kujdes! Punonjësit tanë të agropikave nuk munden në asnjë rrethanë të kryejnë aplikimin për fermerët. Ndihma e tyre do të jetë vetëm orientuese në lidhje me procesin e aplikimit pasi nuk mund të kryhen në këto zyra.
Cilat janë kategoritë përfituese?
Kategoritë përfituese për vitin 2020 janë: blegtoria (përmirësimi i zinxhirit të sigurisë ushqimore të produkteve blegtorale), bletaria (rritje e konkurrueshmërisë përmes mbarështimit të bletarisë), zëvendësimi i plastmasit termik ( mbështetje për rritjen e konkurrueshmërisë për prodhimet bujqësore në mjedise të mbrojtura dhe uljen e kostove të prodhimit), kultivimi i bimëve mjekësore dhe aromatike (për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike), si dhe agro-turizmi (nxitja e prodhimit vendas dhe produkteve tradicionale)
Sa është fondi maksimal i Skemës Kombëtare ?
Aplikimet për të gjitha masat, të cilat janë përmendur pak më lart, do të bëhen në afatet e përcaktuara me urdhër të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, sipas propozimit të AZHBR-së, nga datë 29.05.2020 deri ne datën 19.06.2020 dhe vlerë financimi 743,900,000 lekë.
Sa është sipërfaqja e lejuar e serës ekzistuese për të aplikuar për zëvendësimin e plastmasit dhe sa është vlera që fermeri mund të përfitojë?
AZHBR mbështet prodhimet bujqësore në mjedise të mbrojtura dhe uljen e kostove të prodhimit. Financimi do të shërbejë për zëvendësimin e plastmasit termik për serrat diellore ekzistuese për prodhimin e perimeve dhe rrushit të tavolinës, në vlerën 300 mijë lekë për ha. Ndërsa për tunelet plastike për prodhimin e luleshtrydhes institucioni ynë akordon një fond prej 100 mijë lekësh për ha, por jo më shumë se 500 mijë lekë për subjekt. Sipërfaqja e serrës ose tunelit plastik për prodhimin e luleshtrydhes të jetë jo më pak se 0.2 ha. Fermerit duhet të ketë parasysh që plastmasi të jetë termik, i tipit “long life”, vërtetuar me certifikatën e garancisë. Aplikanti duhet të ketë tokën në pronësi, me qira për të paktën 5 vjet, duke përfshirë dhe vitin e aplikimit.
Çfarë i duhet një fermeri që merret me blegtori, që të plotësojë kushtet për tu mbështetur financiarisht nga AZHBR?
Fillimisht fermeri duhet të bëjë matrikullin e kafshëve. Mbështetja financiare bëhet për ato ferma që kanë jo më pak se 70 krerë dele ose dhi, me një vlerë 1200 lekësh për kokë. Duhet theksuar se AZHBR nuk jep më shumë se 360 mijë lekë të reja për subjekt. Ndërkohë për fermat që kanë jo më pak se 5 krerë lopë, blegtori subvencionohet me 10 mijë lekë të reja dhe jo më shumë se 500 mijë lekë të reja për subjekt.
Një nga masat mbështetëse nga AZHBR-ja është edhe mbarështimi i bletarisë. Çfarë duhet të bëjë një fermer që të përfitojë financiarisht?
Ne si institucion e mbështesim fermerin me një vlerë prej 1 mijë lekësh për koshere. Mbarështuesi duhet të ketë jo më pak se 50 zgjoje, por ne financojmë deri në 150 mijë lekë për subjekt.
Fermerit shqiptar i është zgjuar interesi për kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike. A mundet ata që të jenë pjesë e mbështetjes së Skemës Kombëtare?
Kultivimi i bimëve mjekësore dhe atyre aromatike është një lajm i mirë për Shqipërinë. Sipërfaqet e mbjella kanë ardhur gjithmonë në rritje. AZHBR e mbështet këtë iniciativë, duke akorduar një fond prej 200 mijë lekësh për ha, por jo më shumë se 1 milion lekësh të reja për fermerët individualë dhe për grup fermerësh. Ndërsa për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor vlera e përfitimit financiar është jo më shumë se 4 milion lekësh të reja. Duhet të themi se në vitin 2018 u kryen 199 aplikim, ndërsa në 2020 deri më tani shihet një interes mjaft i shtuar i fermerëve që i drejtohen AZHBR-së, për tu mbështetur. Bëhet fjalë për 379 aplikime.