Ndeshjet mes Laçit dhe Kukësit janë shoqëruar gjithnjë me tension, por kur ato mund të vendosin fatet për titullin ose për pjesëmarrjen në Europë, atëherë temperaturat ngrihen. Qoftë edhe kur luhet pa tifozë.

Presidenti i verilindorëve ka mbetur tejet i zhgënjyer nga 90-minutëshi i djeshëm dhe në qendër të akuzave ka vënë arbitrin Kridens Meta.

Pas ndeshjes numri një i klubit të Kukësit ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport” dhe ka shpërthyer në kritika të ashpra ndaj gjyqtarit kryesor të takimit. “Palo arbitër. Nuk mund të sillesh kështu në një ndeshje. Jam shumë i zhgënjyer”, ka thënë fillimisht Gjici.

PENALLTIA DHE KARTONI I KUQ

Në minutën e 24-t Adolf Turkaj shtyn Kristal Abazajn dhe ky i fundit rrëzohet brenda zonës. Faulli ka nisur jashtë saj, por ka vazhduar edhe brenda zonës dhe aty më pas sulmuesi i Kukësit është rrëzuar. Meta nuk jep penallti, por as faull.

Ky është vetëm një ndër episodet që ka tërbuar Gjicin, i cili deklaroi për gazetën se ai dhe të gjithë kuksianët ndihen të vjedhur pas kësaj ndeshjeje. “Gjyqtar skandaloz. E panë të gjithë se çfarë bëri.

Vetëm ai mund të mos japë një penallti aq të pastër. Ishte fare e papranueshme. Ndihemi të vjedhur. Skuadra e Kukësit, ne si drejtues dhe të gjithë tifozët kuksianë ndihen të vjedhur me atë që bëri Kridens Meta. Nëse jepte penalltinë, pastaj ndeshja mund të merrte rrjedhë tjetër. të mos akordosh një penallti të tillë është thjesht skandaloze”, deklaroi ai.