Fusha e Aviacionit është destinacioni më i ri dhe më i bukur për fëmijët e Njësisë 7 në Tiranë. Pas çlirimit nga zaptimet pa leje, Bashkia e Tiranës e ka transformuar të gjithë zonën, duke e kthyer në një park me 4 ishuj çlodhjeje dhe argëtimi për komunitetin, si dhe lodra për fëmijët. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se çdo muaj, në 5 vite, është ndërtuar një kënd i ri lodrash. “Ky park u çlirua në kohën e Edi Ramës. Askush nuk e mendonte se një fushë e braktisur aviacioni mund të kthehej në një park linear. Shoh se shumë nga pemët që u mbollën në kohë të Edit, sot bëjnë hije për banorët këtu. Në çdo muaj kemi ndërtuar nga një kënd të ri lodrash dhe më vjen mirë që kemi ruajtur këtë ritëm”, tha ai.
Veliaj shtoi se sot qyteti u është rikthyer projekteve të transformimit të Tiranës. “Nëse parku ‘Rinia’ fillimisht u çlirua nga zaptimet dhe u gjelbërua, sot shtuam edhe lodrat për fëmijët, hapësirat për çlodhje etj. Njësoj po veprojmë edhe te ish Fusha e Aviacionit”, deklaroi ai. Kreu i Bashkisë u shpreh se pavarësisht kritikave të një minorance, qyteti është i destinuar të ecë përpara. Ai dha lajmin e mirë për nisjen këtë javë të pagesave cash për familjet e prekura nga tërmeti. “Këtë javë Këshilli Bashkiak do të vendosë për mijëra pagesa cash për ata që janë prekur nga tërmeti. Ju kujtoj se kur u përmbyt Shkodra, u deshën 10 vite të vinte qeveria e re për të kryer pagesat; s’ka kaluar as 10 muaj nga tërmeti dhe ne po nisim pagesat. Kemi likujduar disa qindra familje për tërmetin e shtatorit dhe kemi ndërtuar rreth 60 shtëpi. Tani fillojmë likujdimet e tërmetit të nëntorit dhe ndërtimin e 800 shtëpive”, u shpreh Veliaj.
Mandej, ai sqaroi se askush nuk do të përfitojë në mënyrë të padrejtë nga Fondi i Solidaritetit. “Nëse dikush ka aplikuar për të përfituar nga fondet e tërmetit, por ka dy apo tre shtëpi, nuk ka të drejtë. Ky është një fond solidariteti, një fond social për të ndihmuar nevojtarët, jo dikë që e ka shtëpinë e dytë, të tretë apo të katërt. Kjo është një nga arsyet pse na merr kohë verifikimi i dosjeve. Do fokusohemi tek nevojtarët. Kushdo tjetër, që mundohet të përfitojë nga skema të solidaritetit, harxhon kohën e tij”, theksoi Veliaj. Gjithashtu, ai solli shembullin e Unazës së Madhe, ku pas 3 vitesh bllokim, i është hapur rruga zhvillimit. Sipas Veliajt, qyteti s’mund ta mbajë kokën pas, duke humbur kohë me ‘pleqtë e politikës’ që shajnë çdo punë publike në Tiranë. “Ritmin që i kemi dhënë Tiranës këto vite do ta mbajmë pa u ndalur. Në bashkëpunim me qeverinë e Edi Ramës kemi bërë punë të mrekullueshme, që askush nuk i bën dot vetëm. Mezi pres që të punojmë fort për një mandat të tretë të qeverisë së Ramës sepse është garancia për të bërë gjëra të bukura, por edhe për të përballuar ditët e vështira”, u shpreh Veliaj.
Shumë shpejt, krahas moduleve të ndryshme të lojërave dhe hapësirave çlodhëse, në ish Fushën e Aviacionit do të ndërtohen edhe fusha futbolli e module të tjera lojërash.