Ministria e Shëndetësisë bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 44 raste me koronavirus, përkatësisht, 22 raste në Tiranë, 6 në Krujë, nga 4 raste në Durrës, Kamëz, Shkodër, 2 raste në Lushnje dhe nga 1 rast në Vlorë, Elbasan. Rastet e konfirmuara janë kontakte të rasteve pozitive por edhe shume raste të reja që janë në hetim në Shkodër, Elbasan, Vlorë.
Deklarata e ministrisë:
Kanë vijuar testimet për të dyshuar të prekur me Covid19 dhe vazhdon puna intensive e epidemiologëve në terren për gjurmimin aktiv të rasteve. Në 24 orët e fundit janë kryer 291 testime nga të cilat janë konfirmuar 44 raste pozitive, përkatësisht, 22 raste në Tiranë, 6 në Krujë, nga 4 raste në Durrës, Kamëz, Shkodër, 2 raste në Lushnje dhe nga 1 rast në Vlorë, Elbasan. Rastet e konfirmuara janë kontakte të rasteve pozitive por edhe shume raste të reja që janë në hetim në Shkodër, Elbasan, Vlorë.
Nga 40 personel shëndetësor të testuar kanë rezultuar pozitivë 9 prej tyre, të gjitha kontakte, ndërsa janë shëruar 21 qytetarë duke e çuar numrin e të shëruarve mbi 1 mijë që nga fillimi i epidemisë.
Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 59 vjeçar nga Lushnja, i shtruar prej 6 ditësh në terapi intensive, i konfirmuar me Covid19. 59-vjeçari vuante nga Kardiomiopati e dilatuar, sëmundje renale kronike, diabet mellitus, anemi. Pas asistencës së madhe të stafit mjekësor në terapi intensive, 59 vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerit.
Vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv kryesisht nga Tirana. Aktualisht janë 52 pacientë të shtruar, ndërsa 8 prej të shtruarve janë në terapi intensive. Në vendin tonë janë aktualisht 349 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë ku ka transmetime komunitare.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju fton për t’u treguar të kujdesshëm për respektimin e distancës fizike me njëri-tjetrin, evitimin e kontakteve, shtrengimit të duarve dhe përqafimeve, ruajtjen e higjienës personale. Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19.