Rrjetet sociale kanë ndryshuar shumë aspekte të jetës sonë. Një ndër ta, që duket i modifikuar në mënyrë thelbësore, është dashuria, e mbi të gjitha xhelozia. Kjo e fundit, për psikologët, konsiderohet bijë e frikës dhe pasigurisë, por e lidhur ngushtësisht me dashurinë. Pas saj fshihen frika për të humbur njeriun e zemrës, apo të qenit i braktisur.

Dikur shenja e një buzëkuqi në këmishë, apo një fije floku i gjatë, ishin vula e tradhtisë. Por sot, teknologjia ka ndryshuar edhe këtë aspekt, ku “kutia e zezë” e jetës së njeriut, telefoni, kthehet nga mjet komunikimi në burim problemesh.

Sot nuk janë vetëm meshkujt që tradhtojnë si dikur, por edhe gratë, me të njëjtat doza, thonë ekspertët e mendjes. Kontrollet në rrjetet sociale, përndjekjet e partnerëve, të miqve të tyre, të faqeve të ndjekura nga secili, shndërrohen në një vorbull obsesive, që kanë ndikuar në shtimin e jashtëzakonshëm të rasteve të divorceve, e ndarjeve. Kështu spiunazhi informatik është shtuar, përballë një eksesi të përdorimit teknologjik të mediave sociale.

Por ekspertët theksojnë se një marrëdhënie e shëndetshme është me e thellë se impulsiviteti i zemërimit që korrupton zemrën, gërryen stomakun e mjegullon mendjen. Sipas tyre, dashuria dhe të rezistosh sot, është më e rëndësishme se dyshimet e panumërta.

Besimi dhe pranimi i partnerit, të qenit miq, respekti reciprok dhe i hapësirave respektive personale, janë çelësi, pasi xhelozia është pjesë e dashurisë dhe jo e kundërta. Marrëdhëniet e shëndetshme rezistojnë kur ka vetëbesim e autorespekt, që më pas ushqejnë dashurinë, dashamirësinë, pasionin, e mbi të gjitha besnikërinë në çift.