Presidenti Ilir Meta i ka uruar shërim të shpejtë kryepeshkopit Janullatos pas vënies së dy stendave në zemër dhe rikthimin e tij në detyrë sa më shpejtë. Meta ka shprehur falenderim ndaj kryepeshkopit Janullatos për kontributin e dhënë në forcimin e harmonisë fetare në vend.
“Duke i shprehur urimet e mia më të mira e të përzemërta për shëndet të plotë dhe jetë të gjatë Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, ndaj kënaqësinë që pas ndërhyrjes angioplastike shëndeti i Tij paraqitet i kënaqshëm. I uroj Kryepeshkopit Anastas rikthim sa më të shpejtë në krye të detyrës së Tij tepër të rëndësishme. Një falenderim të veçantë për të gjithë mjekët dhe personelin shëndetësor të cilët u kujdesën që çdo gjë të shkonte mirë. Krenar për rolin e çmuar të Fortlumturisë së Tij dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në veçanti, për forcimin e harmonisë ndërfetare, kësaj vlere kombëtare dhe modeli unik për mbarë botën”, shkruan Meta.