Keni bërë një rezervim për udhëtim para ose gjatë pandemisë, dhe keni parapaguar, nëse udhëtimi nuk do të kryhet ju do të merrni pas rimbursimin, nëpërmjet një kuponi të njohur në turizëm si ‘voucher’, që është një kupon dhe ka të njëjtën vlerë sa parapagimi i bërë. Pra nëse keni parapaguar 500 euro nëse nuk realizohet udhëtimi, agjencia turistike apo operatorët turistik do ju rimbursojnë nëpërmjet një kuponi në të njëjtën vlerë. Ky fakt është sanksionuar në një Akt Normativ të miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe rimbursimi i të gjithë klientëve duhet të bëhet brenda një viti nga hyrja në fuqi e tij.

“Operatorët turistikë apo agjencitë e udhëtimit, të cilët, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose si ndërmjetës, kanë marrë përsipër t’u ofrojnë klientëve çdolloj shërbimi udhëtimi apo një sërë shërbimesh të tjera ndihmëse, dhe këto shërbime janë të parapaguara ose të rezervuara përpara shpalljes dhe gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përjashtimisht detyrimeve të parashikuara shprehimisht në kontratë, të kryejnë rimbursimin e tyre, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e aktit”, thuhet në nenin 3 të aktit normativ.

Në aktin normativ është theksuar edhe fakti që një vendim i tillë vjen si pasojë e situatës së krijuar për shkak të masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së infeksionit. Por në rast se kompania nuk mund të realizojë detyrimin e kuponit, do jetë e detyruar të kthejë paratë e parapagimit. Në rast se ky akt normativ dhe rimbursimi nuk përmbushet nga kompanitë, ato do të gjobiten për çdo kontratë që s’do të zbatojnë në vlerën e 100 mijë lekëve.