Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, bëri shaka se rivali i tij Pep Guardiola duhet të luajë poker, pasi trajneri i Manchester Cityt sugjeroi se ai do t’i pushojë disa lojtarë për ndeshjen e së enjtes kundër Chelseat. Kampioni në fuqi i Premierligës udhëton në Stamford Bridge, para se të përballet me Newcastle United më pak se 72 orë më vonë në çerekfinale të FA Cup në fundjavë, transmeton Gazeta Express.
Manchester City duhet të fitojë kundër skuadrës së Frank Lampardit për t’i mbajtur gjallë, të paktën matematikisht, shpresat për titull, pasi Liverpooli e fitoi ndeshjen e kësaj xhiroje kundër Crystal Palace. Guardiola sugjeroi se ai mund t’i lërë disa nga lojtarët e tij kyç jashtë skuadrës për ndeshjen kundër Chelseat, ndërsa Klopp bëri shaka se trajneri i Cityt duhet të luajë poker.
“Çfarë? Ai e tha këtë? Pep… ndoshta ai do të duhej të luante poker”, ka thënë Klopp. “Manchester City – është e pamundur të kem më shumë respekt sesa që kam tani për atë skuadër”. “Mënyra se si ata luajnë futboll më pëlqen shumë. Ne jemi shumë të ndryshëm, ne duhet të jemi të ndryshëm. Nuk mund të jemi si Manchester City”.