Deputeti i LSI-së në Parlament Lefter Koka i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” deklaroi se nuk mund të vazhdohet akoma me këtë sistem zgjedhor, ku 2-3 individë vendosin për gjithçka.
Koka u shpreh se është pro listave të hapura, duke shtuar se sistemi me lista të mbyllura gjithmonë ka qenë i kontestuar, nga palët politike, por edhe nga ndërkombëtarët.
“Ne kemi një sistem e kod zgjedhor që janë kontestuar që në gjenezë. Në çdo rast ka qenë i kontestuar nga pala humbëse zakonisht, por edhe nga ndërkombëtarët.
Thjesht zëri është ngritur më shumë nga humbësit sesa fituesit. Nuk mendoj se duhet të vazhdohet me këtë sistem, ku 2-3 individë të vendosin për politikën.
Sot deputetët nuk kanë lidhje me hallet e njerëzve, as me zonën e tyre elektorale. Sot fatmirësisht kemi disa deputetë që nuk kanë shefa.
Unë mendoj se këta deputetë kanë thënë atë që do të donte qytetari shqiptar. Sot kërkohen listat e hapura. Nuk ka pse të kontestohet kjo gjë”, tha Koka.
Lefter Koka vlerësoi se vendi ka nevojë po ashtu për depolitizim të komisionerëve.
“Financimi i partive ka qenë dhe mbetet enigmë. Ashtu siç u bë më 2008 marrëveshja, mund të bëhet edhe sot. Jam pro depolitizim të komisionerëve.
Mendoj se duhet depolitizim i komisiionerëve. Unë mendoj se ky vend ka nevojë për më shumë se dy parti.
Për komisionerët, të vendosen qoftë ata që janë në punë në shtet në 8 vitet e fundit ose të lëvizin në qytete të tjera.
Koalicionet do të bënin që vota të shkonte sërish tek partitë e mëdha. Një parti e vogël do të rritej me lista të hapura.
PDIU prsh në Durrës rregullisht ka marrë 4000 deri 5000 vota e nuk ka marrë deputet. Këto vota i kanë shkuar partive të mëdha”, deklaroi Koka.