Kompania ajrore kombëtare e Bjellorusisë do të fillojë fluturimet komerciale nga 12 qershori drejt Shqipërisë. Ky është njoftimi në faqen zyrtare të kompanisë “Belavia”, ku shfaqet një foto reklamuese e turizmit shqiptar dhe shkruhet se fluturimet do të kryhen dy herë në javë, të martave dhe të premteve.
Më tej shkruhet se të gjitha detajet për udhëtimin drejt Shqipërisë mund të merren nga agjencitë e operatorëve turistikë. Në një kohë kur turizmi shqiptar ka pësuar një goditje të rëndë nga dy kriza të njëpasnjëshme si tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia e COVID-19, këto lajme sjellin një frymë optimizmi për rimëkëmbjen e sektorit.
Teksa kufizimet nga koronavirusi fillojnë të lehtësohen në të gjitha vendet e botës, shumë shtet kanë filluar hapjen graduale të kufijve me marrëveshje bilaterale kundrejt njëra-tjetrës, gjë që ka tërhequr kritika nga shumë lidera. Shqipëria momentalisht i ka të hapura kufijtë me të gjitha vendet e rajonit përfshirë Greqinë, ndërsa i ka të mbyllura me vendet e tjera të Europës, deri në datën 1 korrik, kur do të merret një tjetër vendim nga Unioni bazuar mbi gjendjen epidemiologjike të COVID-19.