Nga Artur Ajazi/

E ndërsa Lulzim Basha po premton se policët, mësuesit dhe infermierët do të përfitojnë miliona me taksën e PD, një tjetër zhvillim demokratik është duke përfunduar në rrethe. Drejt bazës nga dita e hënë, janë nisur me mjetet e tyre, pothuajse të gjithë ish-listaxhinjtë e 2017, ata që nuk “tradhëtuan” dhe nuk pranuan të marrin mandatin e deputetit kur Lulzimi dhe shpura e partisë i “dogjën” ato. Kanë vajtur ata në pothuajse të gjitha degët e mëdha dhe të vogla, për tu rikonfirmuar edhe njëherë sipas “direktivës së re të kryetarit, që kandidati të dalë nga baza”.

Nuk ka mbetur njeri pa vajtur, në Durrës, Elbasan, Korçë, Fier, Shkodër, Vlorë e Sarandë, Berat dhe Kolonjë, nga qëndrestarët e 2017, nga ata që prej 4 vitesh po rropaten me shpresën se Lulzimi kësaj here do të fitojë dhe do të bëhet kryeministër. Kryetar, listat me emra të pavarur dhe të dala nga baza e PD, pothuajse janë gati. Mos i mundo më tepër ata njerës që i kanë mbetur akoma Partisë Demokratike në rrethe, sepse kam mendimin se do të hapen petët e lakrorit.

Ato petë që prej 8 vitesh ju lanë ju në opozitë, dhe që mund t’ju lenë sipas shanseve, edhe nja 8 vjet të tjera. Mos i ngut dhe mos i trazo më tepër ujërat në bazë kryetar, sepse mund të dalin “xhevahire” për shumicën e atyre që ke emëruar ti dhe sekretarët, dhe mund t’ju ikin edhe ata që bëjnë sikur janë me ju. Kryetar, listat me “kandidatë” të dalë nga baza, pothuajse janë gati, vetëm data dhe viti do tu ndryshohet, do të mbahen edhe nja 30 apo 40 ditë në zyrën tuaj, për ti mbushur “rradaken” popullit, dhe do të shpallen pastaj.

Kryetar, në degët e Partisë Demokratike, ka nja 6-7 vjet që nuk dihet kush është i pari dhe i dyti, ka nja 6-7 vjet që nuk shkel njeri veç atyre, që paracaktohen të parapaguajnë pronarët e autobuzëve dhe “protestuesit” e pavarur, thjesht si thua ti popullin e mërzitur. Kryetar listat janë gati, madje në proces-verbalet e “mbledhjeve” të grupseksioneve, do të gjesh edhe emrat e kryetarëve të rinj në zona dhe lagje, pavarsisht se askush nuk i njeh. Gjithsesi kryetar, as ti, nuk ke për ti njohur ndonjëherë, sepse janë gjetur në biseda kafenesh, duke folur për “fitoren e PD”.

I ke gati listat zoti Basha, edhe pse sejmenët dhe agallarët e SHQUP-it, që kanë qenë, dhe do të jenë të parët në rrethe, nuk kanë marrë mundimin të mbledhin qoftë edhe 20 apo 30 vetë nga “anëtarësia” për ta bërë të besueshme përzgjedhjen e tyre. I ke gati listat zoti Basha, edhe pse kjo fushatë qysh tani, duket e pamundur për ju, për faktin sepse po konstatoni në takimet tuaja se Partia Demokratike, ka rënie të ndjeshme edhe pse keni 8 vjet në opozitë, edhe pse po premtoni “taksën demokratike”, edhe pse po përbetoheni se “policia, mësuesit, ushtria, mjeksia, etj, do të fitojë me taksën tuaj”, edhe pse po u premtoni bizneseve “lehtësira maksimale dhe mbështetje, fermerëve 100 milion euro, qysh vitin e parë” etj.I ke gati listat zoti Basha, ndaj mos i vono shumë, shpalli publikisht dhe bashkë me ato, shpall edhe “fitoren me ekipin e ri të një partie europianiste”.Madje nga shtatori,vetshpallu kryeministër, se bën vaki del “ëndërra” që ka parë Grida para disa ditësh