Ministri i Jashtëm Gent Cakaj ka mbajtur një konferencë për shtyp së bashku me përfaqësuesit e partive politike në Preshevë që janë unifikuar në një listë të përbashkët zgjedhore në Serbi.

Cakaj thotë se kjo është një mbështetje e vogël nga Shqipëria, por që do të rritet. Ai i bën thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës që të bashkohen.

Sipas tij situata nuk është e lehtë dhe ka prekur caqet, por lista e përbashkët zgjedhore është një nga masat varg që do ndërmerren për të mbrojtur shqiptarët e Preshevës, nga situata kryesisht të imponuara nga vetë shteti i Serbisë.

NJOFTIMI NGA MEPJ

Konferencë për shtyp e ministrit në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj me përfaqësuesit e partive politike nënshkruese të listës së përbashkët zgjedhore, “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”

Ministri Cakaj: Dua të filloj duke falënderuar gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës dhe gjithë përfaqësuesit e tyre institucionalë dhe partiakë për mikëpritjen e ngrohtë dhe po ashtu, dua te theksoj se është një nder i veçantë qe unë sot jam këtu në Luginën e Preshevës.

Ashtu sikurse e dini dhe siç e kemi deklaruar publikisht, mbështetja për gjithë shqiptarët e rajonit dhe të Luginës së Preshevës në veçanti, ka qenë një prej prioriteteve të Republikës së Shqipërisë në politikën e saj rajonale dhe të Jashtme.

Gjatë gjithë kësaj kohe ne kemi intensifikuar dialogun politik me gjithë përfaqësuesit shqiptarë këtu dhe kemi marrë një varg masash për përmirësimin e jetës këtu dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve edhe në Luginën e Preshvës në përgjithësi.

Në këtë drejtim kemi forcuar bashkëpunimin me Këshillin Kombëtar shqiptar duke dhënë dhe mbështetje të drejtpërdrejtë në arenën ndërkombëtare. Kjo mbështetje është e vogël por do të rritet më tej, në nivele më të larta.

Kemi finalizuar marrëveshjen për njohjen e teksteve shkollore, gjë që do të jetë, përveçse realizim i një kërkese të vjetër të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, realisht është dhe një nevojë reale e tyre që do të ketë efektin e vet në përmirësimin e situatës në arsim.

Ashtu sikurse kemi ngritur vazhdimisht të gjitha shqetësimet e tyre jo vetëm në nivel mediatik por realisht dhe në forume të larta ndërkombëtare duke ngritur zërin për nevojën e përfaqësimit të barabartë në institucione shtetërore, komunale e rajonale e deri tek pasivizimi i listave, gjë që dëmton rëndë pasqyrimin e realitetit në Luginën e Preshevës dhe po ashtu, cilësinë e demokracisë në mënyrë që këto çështje të zgjidhen. Dhe çështjet që kanë nevojë të zgjidhen janë të shumta dhe të rënda.

Bashkimi i faktorit politik shqiptar këtu është i domosdoshëm. Ndaj, një prej arritjeve më domethënëse gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë formimi i listës së përbashkët për Luginën e Bashkuar në mënyrë që të kemi një platformë të unifikuar politike, të kemi një plan të qartë të veprimit se si duhet të ecim përpara dhe të zgjerojmë fushëveprimin e mundësive për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Ndaj, unë dua të kërkoj mbështetjen e gjthë juve, gjithë shqiptarëve në Luginën e Preshevës për këtë listë sepse kjo listë është lista e shqiptarëve realisht dhe është një instrument shtesë në dispozicion të tyre për të adresuar të gjitha çështjet e tyre.

Natyrisht kjo listë nuk kompenson një varg masash që duhet të merren nga Serbia dhe që duhet të mbështeten nga të gjitha forcat demokratike në rajon sepse shqiptarët këtu nuk i kanë punët se i kanë pasi janë të ndarë. Por, për t’i përmirësuar punët e tyre, duhet të bashkohemi.

Ndaj ne sot, me të gjithë përfaqësuesit demokratikë kemi diskutuar edhe për rëndësinë e sjelljes si një trup i vetëm kombëtar dhe jo si një shumë e partive politike.

Jemi në një situatë kur duhet të përmbahemi prej komenteve në raport me njëri-tjetrin dhe duhet të ndihen të gjitha çështjet tona në raport me Serbinë.

Po ashtu, sot jemi dakorduar me të gjithë përfaqësuesit politikë shqiptarë këtu për hartimin e një plani të veprimit që do të burojë drejtpërdrejtë nga nevojat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku do të identifikojmë të gjithë sektorët që kanë nevojë për investime apo mbështetje financiare, në mënyrë që edhe ne të kryejmë konkretisht detyrat tona në shërbim të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve këtu, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe afirmimit të përgjithshëm të pozicionit të tyre.

Kemi parasysh që situata këtu nuk është fare e lehtë. Kemi parasysh që shqiptarët kanë qenë shpeshherë në situata tepër të vështira, të imponuara nga shteti i Serbisë. Duke pasur parasysh shtypjen sistematike, ne kemi nevojë për një qasje po ashtu sistematike e cila do të jetë krejtësisht e koordinuar mes faktorëve politikë këtu, në mënyrë që ata të sillen si një trup i vetëm kombëtar dhe të dëshmojnë se mbase do të ketë shumë parti politike shqiptare kur vjen çështja tek ndarja e pushtetit lokal, por se ka vetëm një faktor shqiptar, ndaj gëzon mbështetjen e plotë të Republikës së Shqipërisë.

Unë ju falënderoj shumë për vëmendjen dhe i ftoj kolegët të marrin fjalën për të shprehur çështjet e tyre. Në të njëjtën kohë, mbetem në shërbim për t’ju përgjigjur të gjitha pyetjeve që ju mund të keni. Por theksoj vetëm diçka. Është tepër e rëndësishme që kësaj radhe të dominojë mesazhi i unitetit dhe mbështetja për të gjithë përfaqësuesit politikë shqiptarë dhe të mbështetet koalicioni i Luginës së Preshevës, një koalicion që gëzon mbështetjen e Republikës së Shqipërisë në të gjitha nivelet.

Por po ashtu, është mbështetur pa hezitim, pa kursim e zëshëm edhe nga Republika e Kosovës. Është koha që të sillemi si një trup i vetëm kombëtar dhe të bëjmë më të mirën për shqiptarët. Ky koalicion nuk mund të prodhojë mrekulli dhe ne nuk kemi iluzione për efektin që do të ketë por është tepër e rëndësishme që të ruhet shpresa, motivi dhe ky koalicion të jetë thjesht një instrument shtesë në gjithë vargun e masave më të mëdha që duhet të marrim bashkë për të ndryshuar këtë situatë, sepse kjo situatë ka prekur limitet e saj dhe nuk mund të vazhdohet kështu tani e tutje.

Ju faleminderit shumë!