Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj zhvilloi sot një takim me përfaqësues e të zgjedhur vendorë, për të diskutuar për mbrojtjen e mjedisit, masat kundër ndërtimeve pa leje, dëmtimit e prerjes së pyjeve, luftën antikanabis, çështje të tjera që lidhen me sigurinë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik e projekte të zhvillimit të Dibrës.

Ndër të tjera, Lleshaj theksoi se një tjetër mbyllje për shkak të pandemisë do të ishte fa tale.

“Nuk po them të mbyllemi sërish nëpër shtëpi, se do ishte fatale. Por them që të respektojmë ato minimume, në mënyrë që të parandalojmë një rikthim dhe një riizolim që do të ishte mjaft më i rëndë sesa i pari.”, tha ai.

Lexoni më poshtë deklaratën e tij të plotë:

Është një ndiejnë deficiti kur vjen në Dibër, se vjen rrallë. Besoj që këtë deficit e kemi të gjithë ne, që ushtrojmë përgjegjësi publike, që lidhet edhe me vështirësitë objektive, sepse kushton shumë kohë ardhja në Dibër, ende shumë kohë. Megjithatë kur vjen këtu e kupton që koha ia vlen. Ia vlen ta harxhosh atë kohë për të ardhur në Dibër, për të patur një eksperiencë krejt ndryshe në kuptimin pozitiv.

Panoramë të mrekullueshme, mjedis i pastër, gastronomi e shkëlqyer, njerëz si përherë të mençur e të këndshëm për bisedë e për të bashkëpunuar. Shpresoj që, siç e përmendi edhe Kryetari, ky deficiti ynë për të ardhur në Dibër dhe kjo lloj alibie që kemi për kohën, dalëngadalë të bien.
Hapja e “Rrugës së Arbrit”, do t’ia ndërrojë gjeografinë edhe Dibrës. Do ta spostojë fizikisht shumë afër qendrës së Shqipërisë. Kjo duke i shumëfishuar të gjitha mundësitë e dibranëve për të arritur shpejt në pjesët e tjera të Shqipërisë, por edhe të pjesës tjetër të shqiptarëve, për këto arsye gjeografike, logjistike, infrastrukturore, të cilat ende e bëjnë të vështirë ardhjen. Megjithatë është punë muajsh tashmë, rruga e ka marrë hovin e vet.

Janë disa çështje që unë desha t’i trajtoj sot, e para është pandemia. Megjithëse duket pa vend të flasim për pandeminë në një vend ku nuk ka raste të infektimit, por është e rëndësishme të flitet për këtë. Sepse hapja tashmë e qarkullimit rrugor, lëvizja nga një qytet në tjetrin e rrit në mënyrë të ndjeshme riskun e përhapjes. Dhe, siç po shohim, ka tendencë zhvillimi jo të pëlqyeshme, sa i përket përhapjes së virusit në vend. Nuk ka kaluar dhe ndaj duhet kujdes. Se kur kalohet nuk dihet! Duhet bashkëpunim me organet e shëndetësisë, me organet e Policisë, me të tjerët, që kanë mbajtur barrë të jashtëzakonshme gjatë kësaj periudhe. Ta vazhdojmë këtë bashkëpunim në mënyrë që të mos ta zhbëjmë atë sakrificë të jashtëzakonshme që është bërë nga shqiptarët gjatë këtyre muajve. Duhet të respektojmë të paktën ato minimume që janë kërkuar. Ju them që gjendja është serioze. Nuk po them të mbyllemi sërish nëpër shtëpi, se do ishte fatale.

Por them që të respektojmë ato minimume, në mënyrë që të parandalojmë një rikthim dhe një riizolim që do të ishte mjaft më i rëndë sesa i pari. Ndër shumë të tjera kjo çështje lidhet edhe me zhvillimin e turizmit. Ne jemi bërë një vend që përherë e më shumë jemi të varur nga turizmi. Ekonomia jonë për ditë e më tepër po kalon në varësi të turizmit, dhe rrjedhimisht turizmi po merr një peshë të madhe në ekonominë e vendit. Sa herë që flukset ndërpriten ne kemi probleme. Do ta ndiejmë dhimbjen ne të gjithë, ata që e ushtojnë vetë, por edhe ne të tjerët që shkojmë si turistë.

Mbajtja e vendit pastër si të thuash edhe nga virusi, është po ashtu një element jashtëzakonisht i rëndësishëm sa i përket afrimit të turistëve drejt vendit. Në qoftë se ne nuk arrijmë të mbajmë shifrat nën kontroll është një lloj risku për turizmin, psh., në qoftë se Dibra nuk do të jetë më zonë e gjelbër, por zonë e kuqe. Turizmi mund të menaxhohet kur të gjithë institucionet merren me të. Nuk është çështje vetëm e hoteleve, apo bizneseve të specializuara për këtë punë. Është çështje e të gjithë shoqërisë, e të gjithë qytetarëve.

Një ndër të parat është qetësia, rendi publik, qarkullimi rrugor, lufta ndaj krimit. Pastaj faktorë të tjerë, mbajtja e pastërtisë dhe shumë e shumë aspekte të tjera. Dibra është nga rrethet që prodhon më pak shqetësime në rang kombëtar në lidhje me rendin dhe sigurinë publike. Kur je i mençur nuk ke nevojë për ‘roje’ nga mbrapa, pasi di të bashkëjetosh e di si të sillesh. Por nevoja për të përmirësuar parametrat e rendit dhe të sigurisë publike është e lartë.

Edhe në këtë aspekt rendi dhe siguria është një produkt komunitar, një e mirë publike, nuk është një produkt i Policisë së Shtetit. Kuptohet policia ka rol të madh, ka rol bazë.
Problem i madh është ndërhyrja e paligjshme e disa individëve të caktuar në drejtim të shfrytëzimit të paligjshëm, ose jashtë kritereve të pasurive publike, kryesisht të mineraleve.

Ende kemi probleme me identifikimin e disa personave që kanë llogari të pashlyera, që kanë llogari për të mbyllur me drejtësinë.

Kemi shqetësim, në Dibër më pak, por ende mbetet shqetësim kanabisi. Është detyrë dhe përgjegjësi e të gjitha organeve vendore, degëve rajonale të pushtetit qendror, dhe e të gjithë të tjerëve për t’u angazhuar në një fushatë të madhe lufte kundër kanabisit. Jo kundër bimës në vetvete, por kundër përdorimit të saj, kundër trafikimit.

E para, që mbetet për të thënë këtu është nevoja për të intensifikuar përpjekjet për të mbrojtur të rinjtë nga ky fenomen, i cili ka prodhuar mjaft të keqe në këtë vend. Të rinjtë tanë kanë nevojë ta marrin përditë mesazhin që nuk ka rrugë të shpejtë për t’u pasuruar. Jo të gjithë njerëzit mund të bëhen të pasur. Një pakicë e vogël e njerëzve do të bëhet e pasur kudo, kështu është kjo botë. Të gjithë duhet të synojnë një jetë normale, por jo të gjithë duhet të synojnë një jetë me pasuri, luks, ekstravagancë.

Rruga e pasurimit të shpejtë është ‘rruga e vdekjes’ së shpejtë, sepse nuk është e mundur që të arrihet pasuria shpejt. Problemi me kanabisin nuk është se na prodhon vetëm njerëz të çorientuar, që humbin ekuilibrin, humbin orientimin, por na prodhon krim përditë. Kanabisi ka prodhuar pasuri të paligjshme, këto pasuri kanë prodhuar grupe, individë, që besojnë që kanë fuqi ngaqë kanë pasuri.

Kjo na prodhon krim, dhe ju e dini se krimi sidomos në Shqipëri, por sidomos në këto zonat e veriut, në momentin që ndodh të hapet një ‘zinxhir’, ai e ka të vështirë të ndalojë më. Zgjerohet përmes traditave të dëmshme që kemi, përmes gjakmarrjes, hakmarrjes, e të tjerë e të tjerë, dhe nevoja për ta frenuar këtë fenomen është shumë e lartë për gjithkënd që i ka të çmuar fëmijët e tij, dhe kështu duhet ta kuptojmë.
Ne kemi një plan kombëtar kundër kanabisit. Luftën ndaj fenomenit nuk ia kemi lënë barrë ekskluzive Policisë së Shtetit, që do të thotë të gjithë institucionet e këtij vendi janë të detyruara të bëjnë pjesën e tyre.

Vitin e kaluar ka pasur një numër jo të vogël zyrtarësh, që e kanë paguar shtrenjtë mungesën e përgjegjësisë, nganjëherë edhe bashkëpunimin me elementë kriminalë.
Gjej rastin t’u bëj thirrje publike gjithë administratorëve, kryepleqve, kryetarëve të njësive administrative, punonjësve të policisë dhe drejtuesve të saj që të angazhohen shumë në këto pak ditë që kanë mbetur deri në fund të këtij muaji, pasi përgjegjësia nuk do të jetë vetëm e atyre që kanë kultivuar, por edhe atyre që i kanë lejuar, me dashje apo pa dashje.
Këtë vit i kemi shtuar kapacitet në dispozicion të policisë, së pari monitorimin nga ajri me helikopterë, dronë, të cilët kanë mundësi të vëzhgojnë edhe ditën, edhe natën, në mënyrë që ky fenomen këtë vit të pësojë një goditje shumë të fortë.

Një çështje tjetër, mbrojtja e territorit, përditë e më tepër po shndërrohet në prioritetin e madh të punës së qeverisë shqiptare, sepse besojmë që duke mbrojtur territorin, ne mbrojmë atë që na mban gjallë, tokën, ajrin, ujin, pasuritë tona kombëtare, të sotmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.
Janë bërë kompromise të mëdha në këtë vend, janë bërë ndërtime pa leje, etj., por hapësira për tolerancë tashmë është bërë zero. Nuk mund të vijohet më me asnjë cm2 hezitim apo lëshim në territor, sepse territori nuk është i yni. Ne jemi veç përdorues të përkohshëm të tij.
Kushdo që sot merr vendimin e guximshëm për të prekur e dëmtuar territorin, duhet të llogarisë që rreziku me të cilin përballet është shumë herë më i madh se dje. Për çdo ndërhyrje policia fillon menjëherë një proces të ndjekjes penale dhe paralel me policinë, do të jetë IKMT, e cila ndjek rrugën administrative me gjoba të rënda.

Për çdo punonjës policie mbetet tashmë detyra që të shohë jo vetëm krimin tradicional, por të shohë në radhë të parë edhe krimin mjedisor, i cili nganjëherë, ndonëse nuk e perceptojmë si të tillë, bën më shumë dëm sesa krimi tjetër. Janë shumë trajta të krimit mjedisor që bëjnë me shumë dëm sesa disa figura të tjera të krimit.

Lidhur me gjuetinë e paligjshme; – kjo është pasojë e edukimit të dobët të atyre që e ushtrojnë këtë veprimtari, sepse dëmi që shkaktojnë, në raport me përfitimin, është katastrofal p.sh. për një peshk në lumë, mund të shkatërrojnë shumë të tjerë me lëndë plasëse. Është një trajtë e barbarisë në fakt.
Policia duhet të marrë masa të forta për ta vënë nën kontroll të plotë çështjen e lëndëve plasëse dhe të veprojë jo me tolerancë zero, por minus, në mënyrë që kjo punë të marrë fund, sepse është turp i madh. Jo vetëm për hir të peshqve, por edhe për hir të njerëzve, sepse kjo prodhon edhe dëme të tjera, aksidente fatale dhe depërton edhe në kanale kriminale, të cilat e përdorin edhe për gjëra të tjera më të rënda.

Nga pasuritë natyrore, pasuria më e madhe që keni këtu është lumi. Kudo, në çdo vend, uji është pasuria më e madhe. Nuk mund ta shndërrojmë lumin në një lumë të vdekur, duke i shuar gjallesat aty, duke shfarosur faunën ujore apo duke e ndotur me derdhjen e kanaleve të zeza, hedhjen e inerteve apo plehrave. Lumi duhet ruajtur kristal.