Plot 5900 punonjës të zanateve berberë e parukierë, nga 4200 subjekte të regjistruara kanë përfituar deri tani tre paga lufte nga 26 mijë lekë, falë paketës financiare të qeverisë shqiptare në ndihmë të bizneseve të vogla që u mbyllën për shkak të covid19.
Drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, u ndal në njërin prej përfituesve, Lulzim Meta, berber në qytetin e Cërrikut, i cili deklaroi se kishte përfituar tre pagat e luftës.
“Është realitet që kemi marrë pagën e luftës dhe çdo gjë është online në sistem. Të them që nuk e mora, nuk gënjej dot. Aplikimi ka qënë shumë i thjeshtë”, tha Lulzim Meta, i cili tregoi se profesionin e trashëguar nga i ati, e ushtron prej 25 vitesh.
“Lulzim Meta është shembull i njeriut të punës e zanatit, që prej 25 vitesh mban familjen me të ardhurat nga berberania e tij në Cërrik”, shkroi Kryeministri Rama teksa publikoi historinë e tij në facebook.
Ndërkaq, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, vijon turin e takimeve me sipërmarrësit e vegjël, më të goditurit nga situata e krijuar, shqiptarë të zakonshëm që jetojnë e punojnë me djersën e ballit.