Ndryshime në aktin normative, vendosje e protokolleve të rrepta për mbrojtjen nga COVID19 18 Qershor- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se sistemi shëndetësor po vijon të përforcojë kapacitetet për terapinë intensive si dhe pajisjen në mënyrë të vazhdueshme të stafeve mjekësore me mjete të mbrojtjes personale në kuadër të luftës ndaj COVID19. “Deri tani e kemi përballuar mirë situatën e krijuar nga COVID19. Kemi rritur kapacitetet e shtretërve, të testimit, kemi furnizuar me materiale mbrojtëse mjekët dhe personelin shëndetësor që ata të jenë të mbrojtur, kemi furnizuar me terapi mjekimi dhe pajisje mjekësore spitalet kanë trajtuar dhe trajtojnë rastet me COVID19”, tha Manastirliu.

Në fjalën e saj në Kuvendin e Shqipërisë ministrja Manastiliu ka apelur edhe njëherë për ndërgjegjësim të qytetarëve për zbatim të rregullave të distancimit social dhe masave të higjenës si edhe subjekteve për zbatim të protokollit të sigurisë. “Por më e keqja nuk do të vijë nëse ne do të zbatojmë rregullat, nëse ne do të zbatojmë protokollet dhe nëse ne do ta konsiderojmë këtë si një luftë e cila duhet fituar vetëm duke zbatuar këto rregulla dhe duke qenë të gjithë bashkë. E rëndësishem për t’u theksuar ajo që duhet bërë është ndërgjegjësim, ndërgjegjësi, ndërgjegjësim. Për të gjithë qytetarët që sjellja individiale në raport me këtë virus është esenciale. Ndaj jo vetëm për faktin që shëndetësia është në gatishmëri, mjekët, infermierët, personeli shëndetësor janë duke sakrifikuar dhe duke u përballuar me flukse të shtuara. Të mendojmë më shumë për veten të afërmit, dhe se sjelljet individuale në këtë normalitet të ri të mundet t’i kthejmë në zakone të jetës tonë të përditshme”, tha Manastirliu.

Teksa ka prezantuar edhe dy ndryshimet në aktin normative, Manastirliu tha se këto ndryshime në aktin normativ do të sjellin vendosjen e protokolleve të rrepta për mbrojtjen nga COVID19. Manastirliu u shpreh se një prej nismave është vendosja e distancës së sigurisë në studio televizie dhe së dyti nëpërmjet këtij akti normativ do të ndihmohen qytetarët që kanë humbur në periudhë kohore të përcaktuar punën e tyre ose ku punëdhësnit e tyre nuk kanë aplikuar për ndihmën financiare direkte.