Do të vijojë kujdestaria e zgjatur edhe në muajin Qershor për të mbrojtur fëmijët e institucioneve nga Covid19. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale: Vijojmë programet sociale për mbështetjen e fëmijëve, 50 mijë fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka zgjedhur që 1 Qershorin, Ditën e Fëmijëve ta kalojë me fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli” në Tiranë, ku së bashku kanë krijuar kopshtin e perimeve, duke theksuar rëndësinë e ushqimit të shëndetshëm për mirërritjen e fëmijëve.
Manastirliu tha se falë planit të masave në qendrat tona të përkujdesit ja kemi dalë që të mos kemi asnjë të prekur nga Covid19, ndërkohë që kujdestaria e zgjatur do të vijojë edhe në muajin Qershor për të mbrojtur fëmijët dhe grupet vulnerabël të institucioneve tona nga Covid19.
“Ne kemi vendosur që edhe përgjatë muajit Qershor përsëri, shtëpitë tona të përkujdesit, qoftë në shtëpinë e fëmijëve, qoftë në shtëpitë e të moshuarve të vijojnë kujdestarinë me kohë të zgjatur në mënyrë që të kemi mundësi që të mbrojmë sa më shumë grupet më në risk, që janë të moshuarit kryesisht, personat me aftësi të kufizuara por gjithashtu edhe fëmijët”, tha Manastirliu.
Gjatë vizitës së saj në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”, Manastirliu tha se do të vijojnë të mbështeten fëmijët dhe familjet përmes programeve të mbështetjes sociale, siç janë bonusi i bebes apo programe të tjera alternative.
“Ne do të vijojmë që me programet tona sociale të mbështesim fëmijët dhe familjen, ashtu siç kemi bërë me programet e reja siç është bonusi i bebes. Nga fillimi i tij në Janar të vitit 2019 e deri më sot kanë përfituar mbi 50 mijë fëmijë të porsalindur, edhe familjet e tyre. Do të vijojmë me mbështetjen përsa i përket fuqizimit të familjes, sidomos për familjet në ndihmë ekonomike për të mbështetur jo vetëm nëpërmjet suportit në cash, por gjithashtu edhe përsa i përket shërbimeve alternative”, u shpreh Ministrja.
Manastirliu tha se nga 1 Qershori vijon faza e hapjes së mëtejshme, por mbetet shumë i rëndësishëm zbatimi i rregullave. “Sot nga 1 qershori kemi hapur kopshtet dhe çerdhet me protokolle të sigurisë. Fëmijët i janë kthyer një normaliteti, por ne të rriturit e dimë që ky normalitet nuk është ai i zakonshmi por është normalitet i ri i të jetuarit me rregulla në mënyrë që të kemi mundësi të kufizojmë shpërndarjen e këtij infeksioni që është shumë i rrezikshëm. Por nëse ne zbatojmë rregullat, sigurisht ja dalim, ashtu siç ja kemi dalë deri më sot që të kemi rezultate pozitive”, tha Manastirliu.