Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka zhvilluar një takim me inspektorët e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor të Tiranës, për intensifikimin e kontrolleve për zbatimin e protokolleve të sigurisë anti-COVID. Manastirliu është shprehur se duhet të mos ketë tolerancë për shkelësit e ligjit, duke e konsideruar çdo thyerje të rregullit si rrezik për shëndetin e popullatës, “Une e di që ju keni qenë në terren cdo ditë dhe keni bërë një punë të mirë deri tani, me më shumë se 70 mijë inspektime, por nuk duhet të ketë tolerancë për shkelësit të cilët bëhen më pas burimi i përhapjes së infeksionit pasi tolerojnë në aktivitetin e tyre, duke mos zbatuar rregulla të thjeshta dhe më pas do të na duhet një punë shumë e madhe për të këputur zinxhirin e infeksionit”, tha Manastirliu.
Manastirliu u ka bërë apel subjektve të respektojnë protokollet e sigurisë dhe ka kërkuar nga inspektorët të jenë çdo ditë në terren me zero tolerancë për çdo subjekt që nuk zbaton masat ndaj COVID19, me qëllim ruajtjen e shëndetit të qyetarëve. “Cdo shkelje duhet të konsiderohet si rrezik për shëndetin e qytetarëve, ndaj ju duhet të forconi punën në terren, të mos ketë tolerancë për shkeljet. Dua edhe njëherë ti drejtohem çdo biznesi, pasi na nevojitet mirëkuptimi i tyre dhe i çdo qytetari: Ne jemi këtu për të bërë detyrën, jemi këtu për të bërë të mundur që rregullat që kemi vendosur të zbatohen. Kjo do të bëhet me bashkëpunimin e qytetarëve, me bashkëpunimin e bizneseve, me bashkëpunimin e institucioneve. Zbatimi i rregullave duhet të na kthehen në edukatë të përditshme. Derisa këto veprime t’i bëjmë jo me forcë por sepse kështu mbrojmë shëndetin e të tjerëve, ne do duhet t’i rikujtojmë, t’i rekomandojmë dhe nëse këto masa nuk zbatohen, ne patjetër që do duhet të penalizojmë dhe të marrim masa administrative. Nuk duhet të ketë tolerancë në këtë drejtim”, tha Manastirliu.
Trupa inspektuese e ISHSH ka kryer inspektime dhe monitorime çdo ditë në të gjitha subjektet që zhvillojnë aktivitetet e lejuara gjatë periudhës së epidemisë. Janë inspektuar dhe monitoruar 72,781 subjekte në të gjithë vendin dhe janë vendosur 300 masa administrative.