Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë në SHBA, Eliot L. Engel deklaron se marrëveshja për reformën zgjedhore në Shqipëri duhet të kthehet në ligj.

Në një reagim lidhur me arritjen e marrëveshjes për reformën zgjedhore nga Këshilli Politik, Engel e ka cilësuar një hap të denjë përpara që i mundëson vendit të nisë negociatat me BE-së.

“Marrëveshja e reformës zgjedhore në Shqipëri përmban disa hapa të denjë përpara. Ai përfshin dispozita që depolitizojnë administratën zgjedhore, zgjerojnë transparencën dhe forcojnë pavarësinë e komisionerëve të zgjedhjeve”, deklaron Engel duke shtuar se “më e rëndësishmja, do të lejojë Shqipërinë që të nisë negociatat me BE-në dhe duhet që të adaptohet në ligj”.

Kongresmeni Engel deklaron se “Parlamenti duhet të marrë parasysh të gjithë zërat dhe të marrë një masë shtesë në të ardhmen e afërt, e cila do të përfshijë lista të hapura duke mundësuar që shqiptaro-amerikanët dhe shqiptarët e tjerë në tërë diasporën të votojnë në zgjedhjet e 2021 në vendbanimin e tyre”.

“U bëj thirrje miqve të mi në Shqipëri që të vazhdojnë dhe të punojnë për reformën që demokracia të bëhet më e fortë me baza të thella dhe të gjera”, apelon Engel.