Bashkia e Tiranës po vazhdon dezinfektimin e ambienteve publike në kryeqytet, si një ndër masat e marra kundër përhapjes së Covid 19. Sipas drejtoreshës së Përgjithshme të Pastrim Gjelbërimit, Arlinda Binjaku dhjetëra punonjës që nga fillimi i pandemisë e deri më sot, po kryejnë dezinfektimin e rrugëve, shesheve, lulishteve, tregjeve dhe hapësirave të tjera publike. Sipas saj, aksioni është fokusuar, jo vetëm në qendër të qytetit, por edhe në periferi të Tiranës.
Arlinda Binjaku shprehet se nga muaji mars, kur u shfaqën rastet e para me Covid-19, u morën menjëherë masa për higjenizimin e kryeqytetit. Ajo shpjegon se dezinfektimi po bëhet i detajuar dhe në dy forma, përmes makinave larëse dhe boteve me solucionin përkatës që dezinfektojnë rrugët dhe lagjet e kryeqytetit, dhe përmes punonjësve të terrenit të cilët dezinfektojnë stolat, këndet e lojërave, parqet, koshat e mbeturinave, lulishtet e hapësirat e tjera publike.
Dizinfektimi DPPGJ TIrana (11)
“Dezinfektimi ka qenë i përditshëm dhe gjithëpërfshirës, duke ofruar në këtë mënyrë jo vetëm higjienë maksimale, por duke transmetuar edhe siguri te qytetarët gjatë kësaj situate të jashtëzakonshme që po përjetojmë të gjithë. Ne si Drejtori e Pastrim-Gjelbërimit, në varësi të Bashkisë së Tiranës, kemi një rol kryesor në dezinfektimin e qytetit, dhe për këtë arsye kemi bërë një mobilizim të plotë të të gjitha burimeve tona si forcë punëtore dhe si pajisje e makineri. Është një situatë e jashtëzakonshme që kërkon kontribut dhe rol nga të gjithë ne, jo vetëm si institucione, por edhe si individë, ndaj nuk e kemi ndaluar punën për asnjë arsye, pavarësisht orareve, lodhjes dhe vështirësive që mund të kemi hasur,’’ tha drejtoresha e DPPGJ.
Drejtoresha e DPPGJ thekson më tej se pavarësisht dezinfektimit të mjediseve publike, qytetarët duhet të bëjnë kujdes, dhe të vijojnë të marrin masa vetjake si maska, doreza e dezinfektantë.
Por, krahas dezinfektimit të ambienteve publike, Bashkia e Tiranës i ka kushtuar një vëmendje të shtuar edhe shërbimit të pastrimit të qytetit nga mbetjet e përditshme dhe gjithashtu rritjes së gjelbërimit në kryeqytet.
’Angazhimi ka qenë maksimal, si nga ana e stafit drejtues, ashtu edhe nga ana e punëtorëve të terrenit, të cilët kanë pasur dhe vijojnë të kenë edhe peshën më të madhe të kësaj situate të krijuar; e cila e ka bërë edhe më të vështirë punën në terren,” thotë Binjaku.
Gjatë kësaj periudhe Drejtoria e Pastrim-Gjelbërimit sipas Binjakut ka vazhduar me mbjelljen e pemëve në Tiranë dhe shtimin e lulishteve të reja. Sipas të dhënave, janë mbjellë rreth 975 drurë dhe bimë dekorative, mbi 8 mijë rrënjë lulesh, si dhe është shtuar 560 m2 sipërfaqe e gjelbër me tapet bari. Ndërsa në rrugët dhe lulishtet kryesore të kryeqytetit, janë instaluar 22 kosha të vegjël dhe 192 stola pushimi.
Nga ana tjetër, Drejtoria e Pastrimit dhe Task-Forca janë fokusuar në evadimin e dherave dhe inerteve, si dhe në pastrimin e përditshëm të Tiranës nga mbetjet e ndryshme. Vetëm në muajt e parë të 2020-ës, janë evaduar rreth 7174.84 ton dhera në të gjithë territorin e Tiranës.
Paralelisht me procesin e dezinfektimit dhe masat e tjera të marra në kuadër të pandemisë Covid-19, Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit të Qytetit sipas Arlinda Binjakut i është bashkuar edhe thirrjeve dhe nismave të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës për të qenë pranë njerëzve në nevojë, siç ishte nisma ‘Adopto një gjysh’’, si dhe shpërndarja e ndihmave ushqimore, kryesisht në fshatrat e Tiranës.