Nga Evis Cerga/
Si nuk u ndodh dikush të na bënte një fotografi ditën që mbaruam “Maturën”! Sa e pritëm “maturën” ne të bijt’ e viteve 80 drejt 90. Ne që u rritëm me shokë klase, ngjitur në bankë, me bërrylat që nuk u cikën kurrë që të mbetej në memorie kujtimi.
Matura sinonim i rrugës drejt humbjes së virgjërisë. Matura me “kofshët e mbyllura, si portët e kishave”.Matura me vargjet e mësuara përmendësh për provimin e “Letërsisë“. Ndre Mjeda. De Rada. “Kënga e Sprasme e Balës”, “Ajkuna qan Omerin”. Shekspiri. “A është kamë kjo që kam përpara meje?”. Dhe djemtë që prisnin vajzat pas derës ku zhvillohej provimi.
Matura, viti më i bukur në jetën shkollore. Matura që na bënte zemrën të rrihte pa hyrë tek oborri i shkollës. Matura ku shokët që donim e që donin, ndoshta të tjera, ishin larguar, për të qenë pranë nesh.
Matura me ankthin më të bukur në botë, atë të tezave të provimit. Sa “teza” sajonim në shtëpi me temat që mund të në binin në provim. Sa e bukur frika e asaj që kishim mësuar, por që kishim frikë se nuk e dinim.
Orët e vitit të Maturës na vunë emrin më të bukur në botë. Ne ishim “maturantë“. Ne ishim maturantët e fundvitit 90-të. Ne që nxitonim për të shkuar në shkollë. Ne që prisnim pushimet e vogla, me pasion të madh. Ne që ndamë bukën me njëri-tjetrin. Ne që u prekëm me vështrime nga fundi i korridorit. Ne që zilen që shënonte fundin e orës së mësimit e prisnim me clirimin që nuk ishim ngritur në mësim, edhe kur kishim mësuar. Ne që “kabinetet” i njohëm përmes Gjeografisë së Xhackës, Historisë së Donikës, Kimisë së Evës. Ne që në ekskursione merrnim “bukë me vete”.
Ne që u dashuruam edhe në zborr. Ne që dashurinë e lamë për vitin e Maturës. Matura, viti ku “lejohej”, gati-gati të bije në dashuri. Kur shokët prisnin pas derës së “provimit”, ashtu si burrat presin lajmin e foshnjës që do tu lindte.
Matura, koha kur jeta na thërriste dhe sytë zgjateshin drejt Bulevardit. Matura me orët e gjata, të shkurtra të dashurisë. Matura, me shokët që të bënë të parët “friend request” në Facebook.
Matura ime e “Gjuhëve të huaja”. Irena me shtëpinë te ATSH-ja, Migeni, “kinge e Kombinatit”, Ledi, Helidoni, Eda, Teuta, bukuroshja e Durrësit, Bona, Alketa, Hilmija, Fahrija, Turi, Sabina, Nasi Dhimogjika, Ilir Haxhia, Nerta, Moza, Arianita, Arianiti, Elona, komshia ime, Flora, e plot të tjerë.
Matura, një vit, sa histori. Matura sinonime me “dashuri”. Matura me nxitimin për të mbaruar “shkollën” e për të hyrë në “rrugën e jetës”. Nxitimi sinonim me “maturën”. Sikur ta dinim! Ndoshta nuk do të kishim nxituar. Ndoshta…