Policia e Shtetit njofton se provimi i Maturës Shtetërore ëashtë zhvilluar sot me sukses. Uniformat blu thonë se kanë siguruar mbarë-vajtjen e procesit, duke siguruar rend e siguri në 486 shkolla në vend.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit
Përfundoi me sukses provimi i dytë i maturës shtetërore, për sa i përket masave të marra nga ana e Policisë, ku u angazhuan 550 punonjës policie për mbarëvajtjen e zhvillimit të provimit të Maturës Shtetërore 2020. Në rreth 486 shkolla, në të gjithë vendin, sot u zhvillua provimi i dytë i Maturës Shtetërore 2020 dhe për sigurimin e mbarëvajtjes së provimit, Policia e Shtetit mori një sërë masash për shoqërimin dhe ruajtjen e bazës materiale, garantimin e rendit dhe sigurisë në shkolla gjatë zhvillimit të provimit, si dhe shoqërimin e bazës materiale me automjete dhe punonjës policie për në QSHA.
Drejtoria e Rendit Publik monitoroi zbatimin e masave deri në përfundim të procesit. Edhe një herë Policia e Shtetit i uron maturantëve në të gjithë vendin, suksese në provimet e radhës të Maturës Shtetërore.