Numri i të prekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në mbarë botën ka shkuar në mbi 8 milionë, transmeton Anadolu Agency. Gjithsej 8.007.717 raste me virusin janë regjistruar deri më tani në mbarë botën, sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me pandeminë.

Numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në SHBA, me gjithsej 2.162.228 raste deri më tani. Pas SHBA-së radhiten Brazili (867.882), Rusia (537.210), India (332.783), Britania (295.889), Spanja (291.008), Italia (236.989), Peruja (229.736), Gjermania (187.671) dhe Irani (187.427).

Ndërkaq, në Turqi, numri i të diagnostikuarve me COVID-19 ka arritur në 178.239. Vendet e tjera me mbi 50 mijë të infektuar janë Kili (174.293), Franca (157.220), Meksika (146.837), Pakistani (144.478), Arabia Saudite (127.541), Kanadaja (98.787), Bangladeshi (87.520), Kina (83.181), Katari (79.602), Afrika e Jugut (70.038), Belgjika (60.029), Bjellorusia (53.973), Suedia (51.614) dhe Kolumbia (50.939).

Pas shfaqjes për herë të parë në Wuhan të Kinës në dhjetor të vitit të kaluar, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa deri më tani jetën kanë humbur 435.849 persona. Ndërkaq, mbi 4,1 milionë njerëz janë shëruar nga virusi.