Edhe pse do të hyjnë duar bosh, liderët e Kosovës dhe Serbisë mund të dalin nga “bisedimet e paqes” në Shtëpinë e Bardhë, edhe me një marrëveshje historike. Samiti i 27 qershorit, i mbajtur nën kujdesin vetë e presidentit Donald Trump po cilësohet nga mediat si dita kur Serbia dhe Kosova të nënshkruajnë marrëveshjen e paqes, pas tre dekadash lufte dhe tensionesh.
Mediat serbe raportojnë se presidentit Aleksandër Vuçiç dhe palës shqiptare, kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit Hashim Thaçi, do t’u vihet në tavolinë një marrëveshje e gatshme, e hartuar nga administrata Trump. Një pjesë e mediave në Prishtinë, por edhe në Beograd kanë nxjerrë një draft të kësaj marrëveshjeje, që raportohet se mund të nënshkruhet nga pala shqiptare dhe ajo serbe në Uashington. Edhe pse si kryeministri Hoti, ashtu edhe Thaçi nuk kanë dhënë detaje për atë çka pritet nga bisedimet në Shtëpinë e Bardhë, “Tanung” raporton se marrëveshja e hartuar nga SHBA parashikon që:
1. Kosova fiton 7 miliardë euro nga SHBA. 2. Nuk ka cënim të territorit te Kosovës. 3. Nuk ka Asocacion te Komunave Serbe me status te veçante. 4. Kosova njihet nga Serbia. 5. Kosova anëtarësohet në OKB pas tri vitesh. 6. Serbia anëtarësohet në BE dhe pranon anëtarësimin e Kosovës në BE pa e penguar ligjërisht, Kosova anëtarësohet dy vite me vone. 7. Serbia fiton 10 miliardë euro nga SHBA. 8. Kosova merr liberalizimin e vizave. 9. Kosova merr njohje nga 5 vendet e BE-se brenda 12 muajve pas nënshkrimit te marrëveshjes finale. 10. Kosova dhe serbet qe jetojnë ne Kosove kane qasje për furnizim me ujë nga Ujmani, i cili menaxhohet dhe mbikëqyret nga autoritetet e Kosoves. 11. Trepçën e merr ne menaxhim Qeveria e Republikës së Kosovës. 12. Serbisë i lejohet të ndihmojë serbet ne Kosove me mjete financiare, Kosovës i lejohet te i ndihmojë qytetarët e Luginës me mjete financiare. 13. Kosova anëtarësohet ne UNESCO, INTERPOL pa u penguar nga Serbia, ndërsa vota e Serbisë PRO ose KUNDER, varet nga vullneti i saj. 14. Serbia bëhet kandidate për anëtarësimin ne NATO dhe pranohen si anëtare në të njëjtin moment me Kosoven. 15. Kishat Ortodokse në Kosove, financohen nga mjetet e mbledhura nga donatoret serb brenda Kosovës dhe objektet ruhen nga gjysma e Policisë që janë te komunitetit shqiptar të Kosovës dhe gjysma e policëve serbe të Kosovës. 16. Serbia kërkon falje për krimet e luftës në Kosovë, detyrohet të shlyejë dëmin e shkaktuar (me ndihmën e BE-se pas anëtarësimit në BE) dhe te krimeve të luftës, në këtë gjykim gjysma e gjyqtareve dhe prokuroreve do të jenë nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe gjysma gjyqtarë dhe prokurorë serb. 17. Serbia ndryshon Kushtetutën e saj dhe heq nga preambula e saj Kosovën me termin “Kosova dhe Metohija” 18. Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë marrin Çmimin Nobel për Paqe, për arritjen e marrëveshjes historike.
Ky draft nuk është konfirmuar deri më tani nga asnjëra palë. Por a mund të jetë kjo marrëveshja që do të pajtojë serbët dhe shqiptarët? Eksperti i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Charles Kupchan, beson nuk ka dyshim se në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë, delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, mund të dalin me një marrëveshje paraprake, që do t’i hapë rrugë marrëveshjes finale.
Në një intervistë, Kupchan deklaron se do të ishte e çuditshme që të organizohej një samit i një rëndësie të tillë dhe që SHBA të mos prezantojë një draft-marrëveshje. “Do befasohesha shumë sikur nga takimi i Uashingtonit të dilnim me asnjë lloj marrëveshjeje. Këto lloj arritjeje zakonisht nuk shfaqen brenda natës. Mendoj se kjo, është edhe më e vërtetë kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Serbinë, ku duhet që të kryen shumë detyra të shtëpisë, për të bërë gati popullatën e brendshme, përfshirjen e parlamentit si dhe krijimin e mbështetjes së brendshme për marrëveshjen”, deklaron ai.
Kupchan thotë se qasja e të dërguarit të presidentit Trump për dialogun, Richard Grenell, për t’i fokusuar bisedimet në lidhje ekonomike, është e njëjtë me qasjen e administratës Trump ndaj konfliktit izraelito- palestinez . “Themi se mund të spekulojmë se rezultati do të ishte një marrëveshje konkrete, le të themi konkretisht në çështje tregtare, ndoshta edhe ndërprerja përfundimtare kundër njohjes së Kosovës, e cila do të shërbejë drejt normalizimit të plotë”, shprehet ai.
Duke folur për idenë e korrigjimit të kufijve (shkëmbimin e territoreve), Kapçan deklaroi se ai e dinte që kjo ishte diskutuar për ca kohë mes dy presidentëve, por se ishte hedhur poshtë nga administrata Trump. Ai thotë se i dërguari i Trump, Richard Grenell e ka refuzuar si një zgjidhje për mosmarrëveshjet dypalëshe. Ky skenar ka shkaktuar një sërë polemikash në Uashington ditët e fundit, pasi ish-këshillari i Trump, John Bolton, ka publikuar një libër, ku akuzon presidentin si ideator të shkëmbimit të territoreve. Por Grenell ka vendosur të kundërpërgjigjet, duke deklaruar se në fakt ideja ishte e vetë Boltonit.
Gjatë një interviste në Fox News ai u pyet nga gazetarja rreth takimit që do të mbahet në Uashington me 27 qershor, kur theksoi se skenari i shkëmbimit mes dy shteteve nuk ishte ide e presidentit Trump. “Për momentin jam në një situatë të vështirë, për shkak te situatës së krijuar nga John Bolton në raport me Kosovën dhe Serbinë. Mua më është dashur te luftoj gjatë gjithë kohës me thashethemet për shkëmbim të territoreve, që nuk është në asnjë mënyrë politikë e Trump, por te dyja palët thonë se kjo u është thënë nga Bolton”, ka thënë Grenell gjatë kësaj interviste.