Shqipëria rikonfirmon pjesëmarrjen e saj në të gjtha misionet, ku Forcat e Armatosura janë të angazhuara. Kështu ka theksuar Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, gjatë ministerialit të mbrojtjes të 30 vendeve anëtare të NATO-s, i mbledhur për të dytën herë online për shkak të COVID-19.
Ky takim ishte parashikuar që të mbahej në Tiranë, por pandemia e 3 muajve të fundit bëri të pamundur organizimin në vendin tonë, të një prej eventeve më të rëndësishme vjetore të Aleancës. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë fjalës së saj, tha se “Shqipëria konfirmon praninë e saj në Kosovë, Afganistan, Letoni dhe po punojmë për një mision të përbashkët në Irak në kuadër të Kartës së Adriatikut, drejtimin e së cilës e ka vendi ynë.
Vlerësim për burrat dhe gratë në uniformë, kontributi i të cilëve janë siguria që misionet e operacionet të vazhdojnë pavarësisht pandemisë”. Ministrja e Mbrojtjes propozoi fokus të veçantë të NATO-s për mbrojtjen dhe deterrancën në krahun jugor të Aleancës. Duke vlerësuar rolin vendimtar që NATO ka në mbrojtjen e rendit global, bazuar në vlerat e përbashkëta, ministrja e Mbrojtjes tha se një aleancë e bashkuar dhe solidare është përgjigja më e mirë ndaj çdo rivali gjeopolitik të NATO-s.
Në qendër të diskutimeve të dy ditëve të Ministerialit, janë misionet e operacionet e NATO-s si, si dhe mbrojtja e deterranca në Aleancën më të madhe ushtarake në botë. Të enjtjen, Ministrat e Mbrojtjes së NATO do të diskutojnë mbi masat që po merren për fazën e dytë të pandemisë në vendet e aleancës.