Një ditë më parë OBSH përgëzoi zbulimin e rëndësishëm
“Bari dexamethasone është një bar I përdorur në shërbimin infektiv dhe vijon të përdoret për personat që kanë insuficiencë respiratore në gjendje të rëndë, pra ajo që në gjuhën mjekësore quhet detresi respirator, që rëndon situatën e këtyre pacientëve”, tha Najada Como, shefe e shërbimit infektiv në një prononcim për BalkanËeb.
Ministria e Shëndetësisë ka siguruar medikamentin në fjalë, bazuar në kërkesat e shërbimit infektiv.
Së fundmi OBSH përgëzoi rezultatet paraprake të një studimi britanik mbi një medikament për të luftuar kundër sëmundjes respiratore të COVID-19, duke e cilësuar si një zbulim revolucionar.
“Steroidi i quajtur dexamethasone është medikamenti i parë që redukton vdekshmërinë tek pacientët e prekur nga COVID-19 që kanë nevojë për oksigjen apo ventilator”, deklaroi kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Ky është një lajm i jashtëzakonshëm dhe përshëndes qeverinë britanike, Universitetin e Oksfordit dhe shumë spitale dhe pacientë të Britanisë së Madhe që kanë kontribuar në këtë zbulim shkencor jetësor”, deklaroi ai.
”Testet në 2 104 pacientë kanë treguar se dozat e ulëta të këtij medikamenti reduktojnë numrin e të vdekurve me një të tretën e pacientëve në ventilatorë dhe me një të pestën mes atyre që marrin oksigjen”, njoftuan studiuesit britanikë. Studiuesit i kanë përshkruar rezultatet si një zbulim i madh që do të shpëtojë jetë.