Qeveria i ka ulur ptishmëritë për ecurinë e ekonomisë këtë vit. Sikurse kanë parashikuar institucionet ndërkombëtare, edhe Ministria e Financave vlerëson se ekonomia do të vuajë recesionin për shkak të goditjes nga pandemia Covid-19. E ftuar në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj tha se projeksionet e rritjes për këtë vit janë ne gative.
“Përpara se të ndodhte mbyllja për të luftuar Covid-19 ne parashikuam rritje ekonimike 4%, bazuar në rritjen e konsumit për shkak të projektit të rindërtimit. Por edhe ne parashikojmë recession, por jo aq pesimit. Javë pas jave ne shikojmë se si do të jetë rritja ekonomike në fund të vitit, mendojmë se rritja do të variojë nga -2% deri ne -5%” – u shpreh Denaj. Ministrja e Financave thotë se borxhi publik do të rritet përtej nivelit të parashikuar në fillimvit.
“Ne këtë vit jemi me një rritje dyfish të borxhit. Sigurisht me -2% apo -5 % niveli i borxhit do të rritet mbi 68% që ishte parashikuar në fillim të vitit” – tha Denaj në Përballë. Nisur nga kjo situatë qeveria po planifikon një plan që synon rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë. Ministrja Denaj ndau disa detaje të projektit. “Së pari, janë disa projekte si në infrastrukturë, si tek turizmi apo dhe në pjesën se si bujqësia apo agroindutria mund të kontribuojnë në rritjen ekonomike, ccka nënkupton se me shumë investime do të ndodhin. Më shumë para do të hidhen. Plani i masave të rimëkëmbjes me ndërthurje biznes- shtet është një plan që ul papunësinë, mund të ketë grante, mund të ketë skema, por kjo marrëdhënie s’do të jetë afatshkurtër. Ne synojmë të rrisim konsumin përmes rritjes së investimeve” – theksoi Denaj në Përballë.