A është më e butë sjellja e koronavirusit sot? Matteo Bassetti, shefi i sëmundjeve infektive në spitalin San Martino të Gjenovës, mendon se po. “Përshtypja që kam unë është se virusi po zbutet”, tha mjeku italian në deklarata për “Sunday Telegraph”. “Në mars dhe fillim të prillit, gjithçka ishte ndryshe. Njerëzit vinin në urgjencë me shumë vështirësi në frymëmarrje dhe kishin nevojë për oksigjen dhe ventilator, disa prej tyre zhvillonin pneumoni.
Në atë kohë, Covid-19 ishte si një tigër i tërbuar, ndërsa tani është si një mace e egër”, shtoi Bassetti. Sipas tij, masat e distancimit social kanë pasur efekt në evolucionin e virusit: “Mendoj se virusi ka pësuar mutacion pasi sistemi ynë imunitar reagon dhe për arsye se tani përballemi me një ngarkesë më të vogël virale për shkak të karantinimit, maskave dhe distancimit social”.
Ulja e ashpërsisë me të cilën patogjeni sulmon organizmin tonë shihet, sipas Bassetti, te personat e moshës së tretë: “Sot kemi pacientë 80 apo 90 vjeç që marrin frymë pa pasur nevojë për ndihmë. Më parë do të kishin vdekur brenda 2-3 ditësh”.